Lajme

Begaj: Zgjedhjet e ardhshme duhet të jenë shembull

11/28/2024 21:46
nga:Y I

Presidenti Bajram Begaj mbajti një fjalim në ceremoninë shtetërore për 112-vjetorin e Pavarësisë, ku shprehu mirënjohjen ndaj “atyre burrave e grave që patën guximin të ndryshojnë rrjedhën e historisë”.

Presidenti theksoi rëndësinë e pasqyrimit të vlerave kombëtare dhe europiane, duke i kujtuar klasës politike domosdoshmërinë e një dialogu të hapur me qytetarët dhe organizimin e zgjedhjeve shembullore.

“Atdhetarët patriotë 1912 vite më parë treguan guxim dhe vizion. Ata lanë pas ndasitë për një qëllim dhe mision të madh: Shqipërinë e pavarur. Sot, më shumë se kurrë, politika duhet të ndjekë shembullin e tyre. Klasa politike duhet të jetë në një dialog të hapur me popullin, të dëgjojë shqetësimet, nevojat dhe ëndrrat e tij. Kthejini sytë nga ata që përfaqësoni! Zgjedhjet e ardhshme duhet të jenë shembull i një faqeje të re, ku interesi i qytetarit dhe shërbimi publik ndaj tij vihet mbi gjithçka tjetër. Kjo është mënyra për të nderuar ata që shpallën pavarësinë dhe për të ndërtuar një Shqipëri që e meriton vendin në Evropë”, tha Begaj.

Kreu i shtetit shprehu mirënjohje të thellë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian për mbështetjen e pakursyer. Ai riafirmoi angazhimin e vendit për të mbështetur Kosovën në përpjekjet e saj për njohje ndërkombëtare dhe integrim europian.