Lajme

Bedri Krasniqi thotë në ditën kur akuzohet se vrau policët ishte nisur për Mitrovicë

07/21/2023 16:12
nga:N M

I akuzuari Bedri Krasniqi ka thënë se bashkë me Agron Sylejmanin dhe Xhevat Zymberin dhe grupin e tyre ishin organizuar natën e 23 marsit 2004 në aksion në Mitrovicë më qëllim të ndalimit të shpërnguljes së shqiptarëve. Ai pretendon se për të kryer këtë aksion kishin blerë armë në vlerë 500 mijë

Këtë deklaratë Krasniqi e ka dhënë të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin ku ai bashkë me Alban Dezdari po akuzohen për vrasjen e dy zyrtarëve policorë në vitin 2004 në Podujevë.

Seanca po vazhdon me dhënien e dëshmisë së të akuzaurit Bedri Krasniqi.

“Betimi për Drejtësi” po raporton drejtpërdrejtë nga seanca dhe ndërkohë do të plotësohet edhe teksti me informacione tjera rreth dëshmisë së Krasniqit.

Seanca e fundit ishte mbyllur për publikun seanca ndaj dy të akuzuarve për vrasjen e dy zyrtarëve policorë në Podujevë

Edhe seanca e 15 majit 2023 ishte e mbyllur për arsye të njëjtë.

Ndryshe, të akuzuar në këtë rast për vrasjen e zyrtarëve policorë kishin qenë edhe Bajram Kiqmari dhe Faik Shaqiri, mirëpo Gjykata Supreme në shtator 2017, kishte nxjerrë aktvendim për lirimin e tyre, pasi sipas kësaj gjykate, dy të akuzuarit ishin gjykuar vite më parë rreth kësaj ngjarjeje dhe se ekziston një aktgjykim për pushimin e hetimeve kundër tyre.

Ish-Gjykata e Qarkut e Prishtinës, më 9 nëntor 2007, fajtor për sulmin që ishte konsideruar si terrorist e kishte shpallur vetëm Shkumbin Mehmetin, të cilin e kishte dënuar me 30 vite burgim, ndërsa i kishte liruar nga akuzat Nazim Kadriun, Arben Ahmetin, Arsim Rashitin, Jeton Sylejmanin, Osman Kelmendin, Florim Ejupin, Xhavit Kosumin, Faik Shaqirin, Nezir Kelmendin, Irfan Ademin, Xhafer Zymberajn dhe Bajram Kiqmarin.

Prokuroria e EULEX-it, më 21 korrik 2017 kishte ngritur aktakuzë kundër të akuzuarve Bedri Krasniqi, Alban Dezdari, Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri, për shkak të kryerjes së veprave penale “Vrasje e rëndë” dhe “Vrasje në tentativë”.

Sipas aktakuzës, katër të akuzuarit më 23 mars 2004 në Podujevë, në bashkëkryerje me Agron Sylejmanin, Florim Ejupin dhe Shkumbin Mehmetin, kishin sulmuar një patrullë të UNMIK-ut, të cilët ishin duke patrulluar afër fshatit Shakovicë.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit kishin qëlluar me armë së paku 108 herë në drejtim të automjetit dhe katër pasagjerëve të saj, duke privuar nga jeta zyrtarin policor të UNMIK-ut, Possible Essuman dhe zyrtarin policor të Kosovës, A.Rr, të cilët kishin qenë duke i kryer detyrat e tyre të mbrojtjes së rendi ligjor.

Lëndime nga plumbat e shkrepur kishin pësuar zyrtari i Policisë së Kosovës, Basri Mulliqi dhe përkthyesi i UNMIK-ut, Ramë Zeneli.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit qëllimisht kishin rrezikuar jetën e më shumë personave, të cilët ishin në automjete që vinin prapa veturës së UNMIK-ut, duke vepruar për motive nacionaliste dhe qëllimisht kishin kryer këto dy vrasje. /BetimipërDrejtësi

Haradinaj u kërkoi sërish të mbështesin rrëzimin e Albin Kurtit, LDK dhe PDK: Nuk i kemi votat!