Lajme

Bedri Hamza në Vushtrri: Fond 30 milionë euro në vit për bursa studentore, me PDK-në dhe numrin 130 ecim Bashkë. Përpara

12/18/2025 21:18
nga:G B

Kryetari dhe kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza në një tubim madhështor në mesin e mbështetësve të PDK-së në Vushtrri ka thënë se Kosova ka nevojë për një kapitull të ri stabiliteti, shprese e zhvillimi.

Duke thënë se tani është koha për bashkim, Hamza i ka ftuar qytetarët e Vushtrrisë ta votojnë PDK-në dhe numrin 130 më 28 dhjetor.

“Sot ju ftoj ta ktheni besimin në votë, punën në mbështetje dhe shpresën në fitore. Bashkë, punojmë. Bashkë, ecim. Bashkë, fitojmë. Përpara për çdo qytetar. Përpara për çdo familje që kërkon siguri dhe mirëqenie. Përpara për një Kosovë ma të fortë, ma të zhvilluar, ma dinjitoze. Me numrin 130, me PDK-në, ecim të sigurt drejt fitores. Bashkë. Përpara. Për Vushtrrinë që meriton ma shumë”, është shprehur ai.

Programi i Hamzës bazohet në katër shtylla: zhvillim ekonomik dhe mirëqenie, arsim dhe shëndetësi, drejtësi, si dhe mbrojtje dhe politikë e jashtme.

Hamza është zotuar për rritje të pagave dhe pensioneve deri në 50%, sistem tatimor më të drejtë, lehtësira dhe subvencione për bizneset, krijimin e Fondit të Papunësisë, themelimin e Gjykatës së Punës, ndërtimin e Stadiumit Olimpik Kombëtar, krijimin e fondit prej 30 milionë eurosh në vit për bursa studentore, qendra kujdesi për të moshuarit në çdo rajon të Kosovës, drejtësi të pavarur nga politika, krijimin e  Gardës Kombëtare të Kosovës, si dhe rifillimin e Dialogut Strategjik.

“Qytetarët nuk kërkojnë mrekulli. Ata kërkojnë dinjitet. Stabilitet. Një ekonomi që ua lehtëson jetën. Dhe pikërisht këtë e ofron programi ynë. Zgjidhje reale, të llogaritura, të financuara qartë”, ka theksuar Hamza.