Lajme

Bedri Hamza në Shtime me William Walker: Premton rritje të pagave dhe pensioneve

01/23/2025 19:33
nga:G C

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka shprehur mirënjohjen për pritjen masive që mori në tubimin e tij në Shtime, ku ishte shoqëruar nga ambasadori William Walker, raporton GazetaBlic.

Ai e cilësoi Shtimen një qytet të rëndësishëm për historinë e Kosovës dhe një nyje që lidh qytetet dhe kombet.

Hamza falënderoi Walkerin për kontributin e tij në luftën për lirinë e Kosovës dhe u siguroi qytetarëve të Shtimes se premtimet e tij do të realizohen.

“Në ditën time të parë si kryeministër, do të filloj ndryshimet e nevojshme për rritjen e pagave dhe pensioneve,” tha ai.

E plotë:

Çfarë pritje masive, çfarë nderi të takoj qytetarët e Shtimes në tubimin e sotëm, ku më shoqëroi edhe ambasadori William Walker. Ky është qytet i ndërmarrësve të suksesshëm, qytet i dëshmorëve të UÇK-së dhe martirëve të luftës. Shtimja është nyje që lidhë qytetet e Kosovës, por edhe Kosovën me historinë tonë. Mikun e madh të shqiptarëve e falënderova për rolin e madh që ka luajtur për lirinë tonë. Ndërsa, qytetarët e Shtimes, i sigurova se atë që e premtoj, edhe e realizoj.
Në ditën time të parë si kryeministër, do t’i filloj ndryshimet e nevojshme për realizimin e rritjes 50% të pagave dhe 70% të pensioneve bazike.