Lajme

Bedri Hamza: Çdo votë të numërohet me kujdes dhe të respektohet vullneti i qytetarëve

06/07/2026 20:16
nga:Genita C

Pas mbylljes së procesit të votimit, Bedri Hamza falënderoi qytetarët e Kosovës për pjesëmarrjen në zgjedhje, duke vlerësuar qytetarinë, përgjegjësinë dhe kulturën e tyre demokratike, raporton GazetaBlic.

Ai përgëzoi gjithashtu institucionet, komisionerët, vëzhguesit, mediat dhe forcat e rendit për angazhimin në mbarëvajtjen e procesit.

Hamza theksoi se tani është thelbësore që çdo votë të numërohet me kujdes dhe të respektohet plotësisht vullneti i qytetarëve, duke shtuar se demokracia vazhdon edhe pas hedhjes së votës, përmes mbrojtjes dhe ruajtjes së saj deri në fund.

Postimi i plotë:

Qytetarët e Kosovës treguan edhe një herë qytetari, përgjegjësi dhe kulturë demokratike. Në një proces të qetë e dinjitoz, ata dëshmuan se besojnë në fuqinë e votës dhe në të drejtën për të vendosur për të ardhmen e vendit tonë.

Dua t’i falënderoj të gjithë ata që morën pjesë në këtë proces zgjedhor, si dhe institucionet, komisionerët, vëzhguesit, mediat dhe forcat e rendit për angazhimin e tyre në mbarëvajtjen e tij.

Tani është shumë e rëndësishme që çdo votë të numërohet me kujdes dhe të respektohet plotësisht vullneti i qytetarëve.
Demokracia nuk përfundon me hedhjen e votës në kuti, por vazhdon edhe me respektimin e saj. Le të kujdesemi së bashku që çdo votë e qytetarëve të ruhet dhe të mbrohet deri në fund.

Faleminderit Kosovë