Bashkimi Evropian konsideron se Serbia ka bërë shkelje të qartë të obligimeve nga dialogu, me projektligjin e propozuar të qeverisë për shpalljen e Kosovës zonë të mbrojtjes së veçantë dhe për organizimin dhe juridiksionin e autoriteteve gjyqësore në ndjekjen e veprave penale në Kosovë.
Zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali i ka bërë thirrje autoriteteve të Beogradit që të rishqyrtojë projektligjin, konform obligimeve që i ka ky shtet në proceset e integrimeve evropiane.
“BE-ja i kujton Serbisë se ajo është e detyruar ndaj të gjitha Marrëveshjeve të Dialogut si pjesë integrale e integrimit të saj në BE dhe i bën thirrje Serbisë që projektligjet të rishqyrtohen në përputhje me rrethanat”, porositë zëdhënësja Massrali në një përgjigje me shkrim dërguar medieve.
Ajo gjithashtu ka nënvizuar se projektligji i propozuar bie ndesh me përkushtimin e ritheksuar të Serbisë së fundmi sa i përket dialogut.
Nabila Masrali ka rikujtuar Beogradin zyrtar se qysh nga Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, Kosova dhe Serbia kanë obligime të qarta në lidhje me juridiksionin e tyre përkatës./RTK