Lajme

BE propozon sanksione edhe për kreun e Kishës Ortodokse Ruse, Patriarkun Kirill

05/04/2022 13:52
nga:Astrit Gashi

Ekzekutivi i Bashkimit Evropian zbuloi të mërkurën planet për një ndalim gradual të importeve të naftës ruse si pjesë e një sërë sanksionesh të reja për të ndëshkuar Moskën për agresionin e saj në Ukrainë.

Dhe sipas mediave të huaja, masat e propozuara përfshijnë lëvizje kundër bankës më të madhe të Rusisë dhe shënjestrimin e Patriarkut Kirill, kreut të Kishës Ortodokse Ruse.

Propozimi veçoi gjithashtu Patriarkun Kirill, duke e quajtur atë “një aleat prej kohësh të presidentit Vladimir Putin, i cili është bërë një nga mbështetësit më të shquar” të luftës.

Ndryshe, nëse miratohet, ndalimi i naftës do të ishte masa më e ashpër e BE-së deri më tani kundër sektorit strategjik energjetik të Rusisë që ndihmon Kremlinin të financojë luftën e tij, por ende nuk do të prekë eksportet e tij të mëdha të gazit.

Embargoja është pjesë e paketës së gjashtë të sanksioneve të bllokut dhe do të zbatohet në faza gjatë pjesës tjetër të vitit për të ndihmuar vendet të përshtaten.

BE-ja është konsumatori më i madh i naftës së papërpunuar të Rusisë. Vitin e kaluar Rusia furnizoi 27 anëtarët e bllokut me 30% të naftës së tyre të papërpunuar dhe 15% të produkteve të tyre të naftës.

Ambasadorët nga 27 vendet e Bashkimit Evropian u takuan të mërkurën për të vlerësuar planin e saj dhe do të duhet miratimi unanim përpara se të hyjë në fuqi.