Lajme

BE-ja thotë se Kosova ende nuk dorëzoi një raport për sulmin terrorist në Banjskë

06/25/2024 12:56
nga:G B

Kosova ende nuk e ka dorëzuar një raport të plotë hetimi në lidhje me sulmin në Banjskë të Zveçanit, ka thënë zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Teksa u pyet nga gazetarët në lidhje me sanksionimin e Serbisë në lidhje me këtë sulm, ai ka thënë se kjo nuk mund të bëhet pa pasur rezultatet e plota të hetimit.

“Në lidhje me hetimin ( për Banjskën). Fillimisht, hetimi duhet të bëhet nga autoritetet kosovare. Nëse po i referoheni incidentit në Banjskë, të 24 shtatorit, kjo është diçka që ka ndodhur në territorin e Kosovës dhe autoritetet kosovare janë përgjegjëse për hetimin dhe ofrimin e një raporti të plotë hetimi. Kjo nuk ka ndodhur ende, kështu që nuk mund të vazhdojmë pa pasur rezultatet e hetimit”, ka thënë Stano.

Ai ka thënë se ky raport ndonëse është përfunduar apo jo ende nuk u është dorëzuar atyre.

“Menjëherë pas sulmit dhe ditë, javë e muaj më vonë, kemi bërë të qartë pozitën tonë se çka presim nga dy palët, si Kosova ashtu edhe Serbia kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen e mundshme ose mbështetjen e këtij sulmi të tmerrshëm nga ana serbe. Përsëri e gjithë kjo duhet të jetë objekt hetimi, dhe gjetjet do të përfshihen në raportin final, i cili me gjasë nuk është përfunduar ende ose të paktën, nuk na është vënë në dispozicion deri në këtë fazë”, ka vijuar Stano.