Lajme

BE-ja pret nisjen e bisedimeve me Shkupin dhe Tiranën, por s’ka datë

12/14/2021 23:23
nga:M K

Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme i Bashkimit Evropian miratoi të martën, më 14 dhjetor, konkluzionet për zgjerimin. Por, në mbledhjen e mbajtur në Bruksel, blloku evropian nuk dha afat se kur mund të mbahen konferencat e para ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

“Këshilli ripohon angazhimin e tij për zgjerimin, i cili mbetet një politikë kyçe e BE-së. Këshilli me padurim e pret mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë sa më shpejt që është e mundur, këtë vit”, thuhet në deklaratën e përbashkët nga 27 ministrat e Jashtëm të BE-së.

Ministrat e BE-së përsëritën mbështetjen për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Në konkluzionet përfundimtare, referenca që lidh procesin e zgjerimit të Maqedonisë së Veriut me zbatimin e marrëveshjes me Bullgarinë është hequr, por kjo referencë është e pranishme edhe në kornizën negociuese, transmetojnë mediat lokale pohimet e diplomatëve në Bruksel që kanë parë kornizën negociuese.

Të martën, kryeministri i sapozgjedhur bullgar, Kiril Petkov, pas seancës së parë qeveritare në Sofje, tha se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij maqedonas Zoran Zaev me të cilin, siç tha, janë pajtuar për formimin e shpejt të grupeve të punës, të cilat deri në fillim të muajit të ardhshëm do të hartojnë një plan veprimi.

“Grupet do të formohet sa më shpejt që është e mundur dhe shpresojmë se në fillim të janarit do të kemi plan të qartë mbi përbërjen e tyre. Do të inkuadrojmë sferat e kulturës, infrastrukturës, ekonomisë, përskaj historisë. Duhet të bëjmë një plan veprimi dhe në fillim të janarit këto grupe të kenë rezultate reale, të japin ide që të ecim përpara me negociatat me një plan më operativ”, ka deklaruar Petkov.

Kryeministri maqedonas, Zaev ndërkohë tha se e kishte telefonuar Petkovin për t’ia uruar zgjedhjen në postin e kryeministrit dhe gjatë kësaj bisede janë marrë vesh për intensifikimin e negociatave.

“Ramë dakord të vazhdojmë të punojmë në gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për zhbllokimin e procedurës për fillimin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE dhe për impuls të ri të përforcimit të marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve, në emër të të ardhmes së përbashkët evropiane”, ka deklaruar kryeministri Zaev.

Bullgaria, si vend anëtar i BE-së, në nëntor të vitit 2020 ka bllokuar nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut, duke e kushtëzuar heqjen e vetos me zgjidhjen e dallimeve për gjuhën dhe identitetin maqedonas.

Sofja nuk i konteston maqedonasit, por kërkon që autoritetet të pranojnë se gjuha dhe identiteti i tyre ekzistojnë që nga viti 1945 dhe se para kësaj periudhe ato kanë pasur prejardhje bullgare. /REL