Bardh Ahmeti nga PSD-ja thotë se sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës nuk do të largohen dhe sipas tij, faji shkon tek qasja e kryeministrit, Albin Kurti, raporton GazetaBlic.
Ahmeti në një prononcim për GazetaBlic, theksoi se kushtëzimet e kryeministrit Kurti gjatë mandatit 3 vjeçar të tij kanë qenë të pavlera dhe të parëndësishme në çdo hap.
“Fillimisht duhet kuptuar që kushtëzimet e Kurtit gjatë mandatit 3 vjeçar të tij kanë qenë të pavlera dhe të parëndësishme në çdo hap sepse ato janë bërë më shumë për konsum të brendshëm sesa për ndonjë qëndrim parësor karshi dialogut me Serbinë”, tha ai.
Ahmeti e quan si të pakuptimtë tërheqjen e policisë “copa-copa”.
“Në këtë sens duhet ta kuptojmë gjendjen në veri sot; BE është strikte në kërkesën për tërheqjen e forcave policore nga atje, deri në pikën e vendosjes së sanksioneve. Diskursi absurd dhe i pakuptimtë i Kurtit me tërheqjen copa-copa të policisë nga atje ështē kuptuar pikërisht për farsën që është. Derisa farsa e tij qëndron, poashtu duket që edhe sanksionet do të qëndrojnë”, tha Ahmeti për GazetaBlic.
Edhe njohësi i çështjeve politike, Fidan Ukaj thotë se në marrëveshjen e Bratisllavës nuk është vetëm tërheqja e Policisë së Kosovës.
Ukaj në një prononcim për GazetaBlic shtoi se, BE-ja dhe SHBA-të e kanë humbur besimin tek institucionet e Kosovës, teksa thekson se është e vështirë të largohen edhe masat ndëshkuese.
“Aty janë më shumë se ky kusht, janë edhe zgjedhjet e rikthimi në dialog. Kushte që BE-ja ka kërkuar të plotësohen. E keqja e gjithë kësaj është se SHBA-të dhe BE-ja e kanë humbur besimin në institucionet e Kosovës, kjo e bën më të vështirë largimin e këtyre sanksionet”, tha Ukaj.
“Kryeministri Kurti nuk ka reflektuar me kohë ndaj kërkesave të SHBA-ve dhe BE-së dhe si rrjedhojë kemi humbur edhe besimin. SHBA-të dhe BE-ja presin edhe plotësimin e kushteve tjera si zgjedhjet e rikthimi në dialog në mënyrë që të vendoset për largimin e këtyre masat sanksionuese për Kosovën”, tha Ukaj për GazetaBlic.
Kujtojmë se, para pak dite ka nisur tërheqja edhe e një pjese tjetër të Policisë së Kosovës nga ndërtesat e objekteve komunale në veri të vendit.
Kryeministri Albin Kurti e ka arsyetuar këtë duke thënë se situata atje është e qetë.
“Nga sot filloi zvogëlimi edhe për 25% të tjera i pranisë së policisë së Kosovës në tri ndërtesat e komunave në veri të vendit tonë. Kjo vjen pas vlerësimit të gjendjes së sigurisë nga mbledhja që pardje mbajtën drejtues të Policisë së Kosovës me EULEX-in dhe KFOR-in. Pra, siguria është e mirë, situata është e qetë, dhe mund ta zvogëlojmë ca praninë e policisë sonë. Sundimi i ligjit dhe rendi publik po mirëmbahen gjithnjë e më shumë e më mire”, ka shkruar Kurti.
Ai ka shtuar se janë bërë rreth një muaj e gjysmë që nuk ka incidente të theksuara e protesta të dhunshme.
“Ne po zbatojmë me përgjegjësi dhe seriozitet, sinqeritet dhe kujdes, marrëveshjen e Bratisllavës nga 10 korriku 2023 në funksion të kërkesave të BE-së nga 3 qershori 2023 për de-eskalim. Konstatimi i përbashkët me faktorët ndërkombëtarë për përmirësimin e dukshëm të nivelit të paqes dhe sigurisë në veri dëshmon për de-eskalim të qartë. Njëkohësisht, ne jemi vigjilent për ri-eskalimin potencial që mund të vijë nga deklaratat që nxisin urrejtje dhe agresiviteti politik e shtetëror i fqinjit tonë verior”, ka thënë ai ndër të tjera.
Ndërsa, Bashkimi Europian ka konfirmuar se qëndrimi lidhur me masat e vendosura ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar dhe vijon të mbetet i njëjti me atë të vendosur nga 27 vendet anëtare, më 3 qershor. Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Siniog, theksoi se për heqjen e tyre duhen plotësuar kushtet dhe përmbushur kërkesat e vendosura.
“Përsëri, kjo deklaratë e datës 3 qershor është shumë e qartë. Ka kushte dhe kërkesa të caktuara dhe ka edhe një deklaratë që thotë se do të ketë pasoja negative nëse ato lloj kërkesash dhe kushtesh nuk plotësohen. Pra, ne jemi ende të udhëhequr nga deklarata e 3 qershorit… Nuk ka asnjë sanksion… Por, nëse po mendoni për masat, qëndrimi ynë i konfirmuar nga shtetet anëtare i 3 qershorit, por edhe i rikonfirmuar nga Këshilli Europian më 30 qershor, është ende i njëjtë”, tha Siniog. /GazetaBlic/


