Lajme

BE-ja në pritje të “finalizimit” të paketës së 12-të të sanksioneve ndaj Rusisë

11/14/2023 14:20
nga:Genita C

Zyrtarët e Bashkimit Europian janë duke finalizuar “detajet e fundit” të një pakete të propozuar të 12-të të sanksioneve ndaj Rusisë, që do të miratohet këtë javë.

Borrell theksoi se paketa e 12-të e sanksioneve do të përfshijë më shumë listime, ndalime të reja eksporti, mes tyre diamante, veprime për të shtrënguar kufirin e çmimit të naftës në mënyrë që të ulë të ardhurat që Rusia po merr.

“Ne jemi duke finalizuar detajet e fundit të kësaj pakete. Ajo do të hartohet me një vendim të Këshillit, i cili më pas do të miratojë vendimet përkatëse dhe një rregullore të Këshillit, e cila do t’u japë udhëzime shteteve anëtare se si të zbatojnë këto vendime. Kjo rregullore e Këshillit mund të miratohet të mërkurën me një propozim të përbashkët që unë dhe Komisioni Evropian do t’ia paraqesim Këshillit”, ka thënë Borrell.

Diskutimet mbi sanksionet e reja vazhduan pasi ministrat e jashtëm të G7 dhanë dritën jeshile për vendosjen e kufizimeve për diamantet me origjinë ruse në një takim në Japoni.