Instituti Kombëtar i Sëmundjeve Infektive (NICD) në Afrikën e Jugut ka konfirmuar 22 raste të infektimit me një variant të ri të koronavirusit B.1.1.529 në vend, ndërsa Komisioni Evropian njofton se do të kufizojë trafikun ajror nga Afrika e Jugut nga frika e përhapjes infeksionin.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha në Twitter se Komisioni do të propozonte, në koordinim me shtetet anëtare, aktivizimin e kompetencave të urgjencës për të ndaluar trafikun ajror nga rajoni i Afrikës së Jugut, nga frika e përhapjes së variantit B.1.1.529 të koronavirusit.
Shkencëtarët e NICD kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për një variant të Covida-19 me mutacione të shumta, për të cilin besojnë se është përgjegjës për rritjen e madhe të numrit të të infektuarve. “Fatkeqësisht, në Afrikën e Jugut, ne kemi identifikuar një variant të ri, i cili është shkak për shqetësim”, tha virologu Tulio de Oliveira në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp.
Varianti, i emërtuar B.1.1.529, “ka një numër shumë të madh mutacionesh dhe shkakton një rritje të infeksionit”, tha ai.Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka etiketuar llojin si një “variant të monitoruar”. Maria Van Kerkhove, menaxhere teknike e OBSH-së për Covid-19, tha se deri më tani më pak se 100 sekuenca gjenomike të variantit të përmendur janë në dispozicion të tyre.
Do të duhen disa javë për të vendosur nëse B.1.1.529 do të bëhet një “variant interesi” ose “variant shqetësimi” dhe do t’i jepet një emër grek, si delta.
Varianti filloi nga Afrika e Jugut
Van Kerkhkove shpjegon se një numër i madh mutacionesh në variant mund të ndryshojnë sjelljen e virusit, por ende nuk dihet se çfarë do të thotë kjo për efektivitetin e vaksinave dhe barnave aktuale.
Ky variant është identifikuar gjithashtu në Botsvana dhe Hong Kong tek udhëtarët që vijnë nga Afrika e Jugut.
Izraeli dhe Mbretëria e Bashkuar vendosën menjëherë kufizime për udhëtimet nga disa vende afrikane. Britania po anulon fluturimet nga Afrika e Jugut, Botsvana, Namibia, Lesoto dhe Zimbabve, dhe Izraeli ka shtuar Mozambikun në listë.