Lajme

BE-ja i kërkon Izraelit të zhbëjë vendimin për vendbanime të reja në Bregun Perëndimor

03/07/2024 08:17
nga:N K

Bashkimi Evropian ka dënuar vendimin e Komitetit për planifikim të lartë të Izraelit që planifikon të ndërtojë edhe 3.426 shtëpi në Bregun e pushtuar Perëndimor, duke zgjeruar edhe më tej “vendbanimet ilegale” në këtë territor.

Përmes një deklarate blloku evropian i bëri thirrje Izraelit që të zhbëjë këtë vendim.

“BE-ja përsërit se vendbanimet janë ilegale sipas ligjit ndërkombëtar dhe përbëjnë pengesë për paqe pasi ato kërcënojnë zgjidhjen me dy shtete”, u tha në deklaratë ku u shtua se vendimi për ndërtimin e vendbanimeve të reja është në kundërshtim me përpjekjet për të ulur tensionet.

“Qëndrimi i BE-së mbetet i pandryshuar: ne nuk do të njohim asnjë ndryshim në kufijtë para vitit 1967, përfshirë ndryshimet lidhur me Jerusalemin”, u tha në njoftim.

Ministri i Financave të Izraelit, Bezalel Smotrich, muajin e kaluar ishte zotuar se do të zgjeroheshin vendbanimet në përgjigje të një sulmuesi të armatosur palestinez që vrau një civil izraelit dhe plagosi disa të tjerë në Bregun Perëndimor.

Ky vendim i autoriteteve izraelite vjen në kohën kur Izraeli po vazhdon luftën kundër Hamasit – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja – në Gazë.

Mbikëqyrësi i vendbanimeve izraelite, Peace Now, tha se 3.426 shtëpi janë planifikuar që të ndërtohen në Male Adumim dhe Keder në lindje të Jerusalemit dhe në Efrat, në jug të qytetit.

Izraeli ka pushtuar Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor dhe Rripin e Gazës gjatë luftës arabo-izraelite më 1967 dhe vendbanimet në territoret palestineze konsiderohen të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.

Pavarësisht kundërshtimeve nga jashtë, në dekadat e fundit Izraeli ka ndërtuar vendbanime për kolonët izraelitë përgjatë Bregut Perëndimor.

Në Bregun Perëndimor në këto vendbanime jetojnë mbi 490.000 izraelitë. Në këtë territor po ashtu jetojnë afër 3 milionë palestinezë./REL