Lajme

BE e konsideron Kosovën vend të sigurt për azil

12/08/2025 15:28
nga:Genita C

Bashkimi Evropian, ka marrë vendim që Kosova bashkë edhe me gjashtë vende tjera të konsiderohet zyrtarisht si vend i sigurt për qëllime të azilit.

Vendimi u bë i ditur nga Këshilli Evropian dhe synon përshpejtimin e procedurave për aplikimet që nuk kërkojnë mbrojtje në BE.

Në komunikatë, thuhet se qytetarët kosovarë do të përfitojnë nga procedura më të shpejta të shqyrtimit të kërkesave për azil, duke pasur parasysh se Kosova ofron mbrojtje të mjaftueshme kundër persekutimit dhe shkeljeve të rënda të të drejtave themelore.

“Megjithatë, çdo aplikim individual mund të shqyrtohet nëse ekzistojnë arsye specifike për mbrojtje”, thuhet në njoftim.

Rregullorja e re e Bashkimit Evropian, e cila për herë të parë përfshin listën e përbashkët të vendeve të sigurta të origjinës, zgjeron rrethanat për refuzimin e kërkesave për azil dhe parashikon mundësinë që shqyrtimi të bëhet edhe në vende të treta të sigurta.

Përpos Kosovës, si vende të sigurta janë shpallur edhe Bangladeshi, Kolumbia, Egjipti, India, Maroku dhe Tunizia, ku qytetarët e tyre do të përballen me procedura të përshpejtuara që zakonisht përfundojnë me refuzim ose zhvendosje të shqyrtimit në një vend të tretë të sigurt.