Lajme

BE: Dakordësim i rëndësishëm për asetet e ngrira ruse

12/12/2025 17:36
nga:N K

Gjermania dhe disa shtete të BE-së në të ardhmen do të kujdesen, që asetet shtetërore ruse të ngrira në BE të lëvrohen në Ukrainë. Lidhur me këtë ndërkohë është hedhur një hap i rëndësishëm.

Si mund të përdoren për Ukrainën pasuritë shtetërore ruse të ngrira prej sanksioneve? Një kusht i rëndësishëm për këtë është që të sigurohet baza ligjore për vendimmarrjen mbi bazën e shumicës – dhe jo sikurse ndodh zakonisht në nivelin e BE-së përmes votës unanime. Pikërisht për këtë kanë rënë dakord Gjermania dhe shtetet e tjera të BE-së, sikurse njoftoi presidenca daneze e Këshillit të BE-së. Konkretisht synohet në radhë të parë që të parandalohet, që shtetet miqësore ndaj Rusisë brenda BE-së si Hungaria ta bllokojnë lëvrimin e këtyre aseteve përmes vetos. Ndërkohë para nga Banka Qendrore ruse janë ngrirë përmes vendimeve të BE-së për sanksione, afati i të cilave shtyhet çdo gjashtë muaj. Ky rregull pengon që paratë për kredi afatgjata të mund të përdoren në Ukrainë, dhe që duhet t’i kthehen Rusisë vetëm në rast se pas fundit të luftës ajo do të jetë e gatshme të paguajë për reparacione.

Ukrainës i duhen shumë para, ndërkohë që një pjesë e madhe e pasurive shtetërore ruse jashtë vendit ndodhen në Belgjikë.

Vendim me shumicë për shkak “të vështirësive të mëdha ekonomike”

Për t’i përdorur pa afat paratë ruse, Gjermania dhe disa shtete të tjera të BE-së i referohen nenit 122 të Marrëveshjes për Mënyrën e Funksionimit të Bashkimit Europian. Në këtë nen përcaktohet, se në rast të vështirësive të mëdha ekonomike mund të miratohen masat e nevojshme me të ashtuquajturën shumicë e kualifikuar. Për këtë në tekstin ligjor ndër të tjera thuhet, se lufta e Rusisë kundër Ukrainës krijon sfida të rënda ekonomike. Kalimi i parave në Rusi duhet të parandalohet me urgjencë të lartë, në mënyrë që të kufizohet dëmi për ekonominë e unionit. Dekreti duhet të miratohet në samitin e BE-së javën e ardhëshme.

Belgjika ende ka rezerva ligjore

Më së voni deri në këtë takim shpresojnë si kancelari i Gjermanisë Friedrich Merz edhe të tjerë mbëhstetës të këtij plani, që kryeministri belg Bart De Wever të miratojë planin për kredinë. Pa Belgjikën zbatimi i këtij plani konsiderohet i vështirë, sepse sasia më e madhe e parave ruse, që synohet të përdoren për Ukrainën, administrohen nga sipërmarrja belge Euroclear. Bëhet fjalë për rreth 185 nga gjithsej 210 miliardë euro në BE. Qeveria belge e ka bllokuar planin deri tani duke iu referuar rreziqeve ligjore dhe financiare. Ndër të tjera një rrezik mund të jetë, që Rusia si hakmarrje të veprojë kundër personave privatë ose sipërmarrjeve europiane duke i shpronësuar ato në Rusi.

Tre kushtet e kryeministrit belg De Wever

Që Belgjika të bashkëveprojë pavarësisht rreziqeve, De Wever ka përmendur tre kushte: Duhet të garantohet, që të mos ketë si rrjedhojë rreziqe të mundshme kolektive. Po ashtu duhet që qysh në momentin e parë të zbatimit të planit të ketë mjaftueshëm garanci financiare për t’iu përgjigjur detyrimeve eventuale financiare. Dhe de Wever kërkon një mbrojtje të gjerë likiditeti dhe risku për të gjithë qytetarët dhe sipërmarrjet dhe një pjesëmarrje të të gjitha vendeve të tjera të BE-së, ku gjithashtu janë ngrirë pasuri të Bankës Qendrore ruse. Ndër këto vende, sipas të dhënave të Komisionit të BE-së, janë krahas Gjermanisë edhe Franca, Suedia dhe Qiproja.