Ushtarët e Ukrainës në Pokrovsk kanë ngjitur një flamur me ngjyrat blu e të verdhë, të flamurit ukrainas, për të treguar se qyteti, objekt i një beteje të ashpër prej 18 muajsh, nuk ka rënë ende, pas pretendimeve të Rusisë për kontroll të plotë mbi të.
Lajmin e raporton BBC, duke qenë dëshmitare e këtij gjesti simbolik dhe të rezistencës së forcave të Kievit, ndërsa nga fronti duket se ushtria ukrainase po humb terren në këtë qytet kyç në lindje.
Ditët e fundit, presidenti Vladimir Putin deklaroi se forcat ruse kishin marrë kontrollin e qytetit, i konsideruar si një pikënisje drejt synimit të Moskës për të pushtuar gjithë Donbassin. Sot, BBC raporton një tentativë për të kundërshtuar këtë deklaratë: nga një post komandimi ukrainas, larg vijës së frontit, urdhrat transmetohen me radio në mënyrë të shpejtë. Ushtarët ndjekin qindra pamje të drejtpërdrejta nga dronët ndërsa koordinojnë sulmet kundër pozicioneve ruse brenda qytetit.
“Komandanti i regjimentit sulmues të Skalas, Yuri, dëshiron të na tregojë se Ukraina kontrollon ende pjesën veriore të qytetit, për të treguar se pretendimi i Kremlinit për marrjen e Pokrovskut është gënjeshtër”, shkruan media britanike. “Përmes radios, ata i kërkojnë dy ushtarëve të dalin nga një ndërtesë për të vendosur flamurin ukrainas. Ata veprojnë shpejt për të mos u vënë re. Droni kap momentin kur ata valëviten shkurtimisht flamurin blu e të verdhë, përpara se të kthehen në mbrojtje”, vijon raportimi i BBC.
“E pashë me sytë e mi. Mendoj se e gjithë bota duhet të dijë se nuk do të heqim dorë nga territori ynë. Nëse nuk e tregojmë, të gjithë do të humbasin besimin dhe do të ndalojnë ndihmën për Ukrainën”, deklaroi komandanti Yuri për BBC-në.
Beteja për Pokrovskun, dikur nyjë kyçe logjistike për ushtrinë ukrainase, po vazhdon prej gati 18 muajsh. Qyteti është tashmë në rrënoja, dhe pyetja mbetet se sa gjatë Ukraina mund të rezistojë. Ata që ndjekin avancimin rus nga jugu sugjerojnë se forcat ukrainase kanë kontroll të kufizuar mbi qytetin: po humbasin terren, por pretendojnë se mbajnë ende pjesën veriore, deri tek linja hekurudhore që ndan qytetin strategjik në dysh.


