Sporti

Bayern Munich tenton të dobësojë Leverkusen, ofertë për një nga të besuarit e Xabi Alonso

04/27/2024 12:15
nga:E K

Bayern Munich synon të bëjë me Bayer Leverkusen atë që ka bërë edhe me rivalët e mëparshëm në Bundesliga, ta dobësojë nëpërmjet merkatos. Bavarezët, janë hedhur në sulm për Jonathan Tah, liderin e repartit të prapavijës tek kampionët e saposhpallur të Bundesligas.

Drejtuesit e rekordmenëve gjermanë duke njohur kontratën në skadencë të Tah në vitin 2025, synojnë të përfitojnë. Mirëpo, “Aspirinat” po lëvizin dhe kërkojnë të mbrohen teksa i kanë vendosur 28-vjeçarit një çmim me vlerë prej 40 milionë eurosh.

Në fakt, kjo shifër është vetëm për klubet gjermane, pasi nëse klubi merr një ofertë nga kampionatet e tjera europiane, e lejon lojtarin të largohet për 30 milionë euro. Vetë Tah, synon të vijojë karrierën në një tjetër klub sezonin e ardhshëm dhe mbetet për t’u parë nëse Bayern Munich do t’ia dalë t’i “rrëmbejë” trajnerit Xabi Alonso një prej të besuarve të tij.

Në këtë sezon, Tah është aktivzuar në 40 ndeshje në të gjitha kompeticionet me fanellën e Bayer Leverkusen duke shënuar edhe gjashtë gola.