Futbollisti kolumbian Luis Diaz duket se ka gjithnjë e më shumë gjasa të largohet nga Liverpooli në merkaton e verës, pasi arriti një marrëveshje mbi kushtet personale me Bayern Munich, raporton Bild.
Sipas informacioneve, Diaz ka rënë dakord me kampionin gjerman për një kontratë katërvjeçare dhe një pagë prej 14 milionë eurosh bruto në vit.
Megjithatë, ende nuk është arritur asnjë marrëveshje midis Bayernit dhe Liverpoolit në lidhje me transferimin e kolumbianit 28-vjeçar.
Sipas gazetarit Florian Plettenberg, negociatat midis dy klubeve po përparojnë dhe janë afër arritjes së një marrëveshjeje.
Shuma përfundimtare e transferimit pritet të jetë rreth 80 milionë euro. Oferta e fundit e Bayernit ishte 67.5 milionë euro, por Liverpooli e refuzoi atë.
Diaz ka luajtur për Liverpoolin që nga viti 2022. Ai ka bërë 148 paraqitje për ekipin, duke shënuar 41 gola dhe duke dhënë 23 asiste.
/GazetaBlic Sport/


