Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë reaguar pas deklaratës së shefit të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, i cili ka pohuar se ka një përafrim mes PDK-së dhe LVV-së.
Agon Batusha, deputet i VV’së, në një përgjigje për GazetaBlic thekson se deklarata e Gashit është absurde.
Sipas Batushës, pjesëmarrja e PDK-në në një takim ku ishim të thirrur edhe LDK dhe AAK nuk nënkupton koalicion.
“Absurde. Të ftuar në takim për diskutim për agjendën legjislative ka qenë edhe LDK dhe AAK. Kështu që, refuzimi i takimit nga dy subjektet tjera dhe pjesëmarrja e PDK, nuk do të thotë koalicion. Është logjikë e thjeshtë”, tha Batusha për GazetaBlic.
Ndërkaq sot shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi deklaroi se dorëheqja e kryeministrit Albin Kurti është e vetmja zgjidhje për të shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Ai po ashtu u shpreh se ka një përafrim mes LVV-së dhe PDK-së.
“Pse duhet të jenë partitë opozitare të pajtuara kur partitë opozitare kanë programe të ndryshme, lidership të ndryshëm, qasje të ndryshme edhe me pushtetin edhe mes veti. Është normale që partitë opozitare s’kanë të njëjtën qasje. Ka një koalicion ose një përafrim mes PDK-së dhe LVV-së që është në objektiven e tyre, në qëllimin e tyre të punës dhe normalisht ne si LDK kemi këndvështrimin tonë dhe këndvështrimi jonë është që të merret përgjegjësia politike për dështimet katërvjeçare në Kosovë”, theksoi Gashi.
Ndryshe, subjektet opozitare përkundër thirrjeve që kanë bërë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, deri tani nuk ka pasur ndonjë dakoordim mes tyre. /GazetaBlic/