Sporti

Baton Zabërgja për GazetaBlic Sport tregon objektivat e Gjilanit: Dalja në Evropë është misioni ynë, jam i lumtur ta ndihmoj ekipin me gola

02/23/2023 10:09
nga:E K

Fillimi i sesionit pranveror në Superligën e Kosovës nisi me emocione të shumta dhe polemika të mëdha në lidhje me referimet.

Skuadra e Gjilanit në dy ndeshjet e para pati një start të vështirë duke barazuar në shtëpi ndaj Ferizajt pa gola dhe ndaj Malishevës me rezultat 2-2 në të cilën u anulua një gol me VAR për offside i Mevlan Zekës që do rezultonte edhe gol i fitores, shkruan GazetaBlic Sport.

Megjithatë në xhiron e fundit, Gjilani iu rikthye fitoreve duke e mposhtur në udhëtim Drenicën me rezultat 1-2.

Golashënuesi i golit të fitores për Gjilanin, Baton Zabërgja ka folur për “GazetaBlic Sport” ku ka treguar synimet e klubit të Gjilanit për këtë sezon.

Pavarësisht rezultateve të cilat nuk ishin ato që kishim pritur, ne kemi treguar dominim dhe kemi qenë tejet kërkues. Fitorja erdhi në Skenderaj falë punës tepër të madhe nga të gjithë. Natyrisht se do jetë një fitore që e mbanë të ngritur moralin e të gjithëve dhe një motiv shtesë për ndeshjen e radhës”, tha fillimisht ai.

Ai u shpreh i lumtur me golin e tij të realizuar ndaj Drenicës duke thënë që është e rëndësishme për të ta ndihmojë klubin për të gjetur fitoret.

Kam shënuar edhe në Kupë, por edhe në ndeshje parasezonale. Por, e rëndësishme është t’i ndihmoj ekipit sa më shumë. Objektivi im i vetëm është ky, t’i ndihmoj ekipit qoftë me gola të shumtë, qoftë edhe me asistime”, shtoi Zabërgja.

Zabërgja tregon se dalja në garat europiane mbetet synimi kryesor i skuadrës për këtë sezon.

Dalja në Evropë kuptohet se është objektivi ynë. Kemi patur një sezon me ulje ngritje dhe kjo tashmë dihet edhe për arsyet. Kemi një ekip shumë të mirë dhe besoj që Evropa do jetë mision i realizueshëm për ne. Krahas kampionatit do të jemi në hap edhe për Kupën e Kosovës, pse jo edhe ta fitojmë atë”, përfundoi lojtari i Gjilanit për GazetaBlic Sport.

/GazetaBlic Sport/