Lajme

Bastisje në Prishtinë për rastin “Capat”- Sekiraqët, arrestohet një person

06/10/2025 11:53
nga:G B

Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, njofton opinionin publik se sot ka realizuar  një urdhër kontroll në një lokacion në lagjen ‘’Bajram Bahtiri’’  në Prishtinë.

Kontrolli është kryer në kuadër të hetimeve që lidhen me rastin e ndodhur me 02 Shtator 2024, në lagjen ‘’Aktash’’  në Prishtinë,  ku si pasojë e një incidenti të armatosur kishte mbetur i vrarë një person.

Gjatë bastisjes, është arrestuar një person për veprën penale Vrasjes së rëndë në tentativë  sipas nenit 173 lidhur me nenin 28 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 të KPRK-së.

Poashtu, gjatë kontrollit në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri e tipit pistoletë, për të cilën dyshohet se mund të jetë përdorur në kryerjen e veprës penale.

Hetimet janë duke vazhduar në koordinim të plotë ndërmjet Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës, për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje.