Basketbollisti i ri kosovar, Dini Syla, ka regjistruar statistika të rralla, në ndeshjen e së shtunës së ekipit të tij, M Junior, ndaj Bashkimit.
Syla, sipas një postimi që ka bërë babai i tij në Facebook, ka arritur një triple double (ose dyshifror të trefishte).
Ai ka regjistruar 13 pikë, 10 asistime dhe 12 kërcime (ribaunds). Pos kësaj, lojtari i ri dhe i talentuar ka regjistruar edhe 6 bllokada.
“Dini edhe nëna e tij po insistojnë që unë nuk e kam numëru një asist, të shtunën. Nëse ata kanë të drejtë (gjë që unë nuk kam shumë argumente me i kundërshtua sepse në një kohë më ka rrëmbyer loja e i kam harru laps e letër me mbajt shënime) atëherë ky djali ka ba triple double në ndeshjen e fundit të M Junior kundër Bashkimit. Bile, gati edhe më shumë, sikur t’i bënte veç edhe 4 bllokada”, ka shkruar babai i Dini Sylës, Gazmendi.
Dini Syla është 16 vjeç dhe luan për ekipin M Junior, që drejtohet nga ish basketbollisti i njohur Bekim Maxhuni.