Bashkimi ka triumfuar në derbin dramatik ndaj Golden Eagle Yllit, ndërsa Trepça e ka vazhduar formën e mirë me fitore bindëse si mysafir ndaj Borës.
Të ndeshjet kanë qenë në kuadër të xhiros së nëntëmbëdhjetë të Superligës së Kosovës në basketboll.
Në kryendeshjen e xhiros, Bashkimi e ka mposhtur Yllin me rezultat 68:63, në ndeshjen e zhvilluar në palestrën “13 Qershori” në Suharekë.
Ylli e ka nisur më mirë takimin duke fituar çerekun e parë 25:23, por Bashkimi ka reaguar në çerekun e dytë dhe ka shkuar në pushim me epërsi minimale 40:39.
Skuadra prizrenase i ka fituar edhe dy çerekët e fundit me rezultat identik 14:12, duke siguruar fitoren në një përballje të fortë dhe të luftuar deri në fund.
Te Bashkimi janë dalluar Shannon Shorter me gjashtëmbëdhjetë pikë, nëntë kërcime dhe gjashtë asistime, ndërsa Kenny Wooten ka kontribuar me dhjetë pikë dhe gjashtë kërcime. Te Ylli, më i miri ka qenë Brandon Huffman me njëmbëdhjetë pikë dhe dymbëdhjetë kërcime. Pas kësaj fitore, Bashkimi mbetet në vendin e dytë me tridhjetë e dy pikë, ndërsa Ylli renditet i pesti me njëzet e shtatë pikë.
Në ndeshjen tjetër, Trepça ka fituar bindshëm si mysafir ndaj Borës me rezultat 88:71. Mitrovicasit kanë krijuar epërsi që në çerekun e parë dhe e kanë thelluar atë sidomos në çerekun e tretë, të cilin e kanë fituar 30:9, duke e bërë dallimin vendimtar.
Bora është përpjekur të reagojë në çerekun e fundit, por epërsia e Trepçës ka qenë e pakapërcyeshme.
Kjo fitore e mban Trepçën lidere të Superligës.

