Bashkim Ramosaj, kryetar i Deçanit, synon edhe një mandat në krye të kësaj komune.
Ai në një intervistë për Gazeta Blic, ka shprehur bindjen se do të fitojë sërish, madje këtë herë më fuqishëm se asnjëherë tjetër dhe pa balotazh.
Ramosaj ka folur për projektet madhore që ka kryer gjatë 4 viteve të fundit, që kanë pasur ndryshime të mëdha në jetën e qytetarëve, në të gjitha sferat.
“Janë shumë projekte që kanë bërë ndryshim të madh në Deçan, së paku tendencë e jona dhe investimeve që i kemi bërë në këtë katërvjeçar ka qenë tendencë që ta bëjmë jetën e qytetarëve më të lehtë, t’i japim identitet këtij qyteti edhe më shumë në raport me trashëgiminë natyrore që ka dhe në raport po ashtu me trashëgiminë kulturore. Kemi punuar me shumë skema se janë punë edhe sektoriale, qoftë në shëndetësi, arsim, zhvillim ekonomik, rininë, kulturën sportin e infrastrukturën, ka qenë një përkushtim ditor gjatë tërë mandatit që të dalim me shkallë tjetër të zhvillimit si qytet, tendencë që po bëhet realitet çdo ditë e më shumë. Fatkeqësisht ne ende duhet të diskutojmë për infrastrukturën që është bazike, rrugë, trotuare, ndriçim publik, trotuare, qoftë shëndetësi, arsim, dhe kjo të merr edhe energji shumë dhe të bën të përkushtohesh shumë dhe ta kalosh si fazë. Ndoshta ne kemi ambicie më të mëdha dhe njeriu mllefoset pse duhet ende të flitet për këto tema. Mendoj që ka ardhur koha t’i qasemi një koncepti të ri që ka të bëjë me zhvillim ekonomik, mirëqenie më të madhe, standard më të lartë ekonomik për çdo familje në këtë qytet dhe çdo person që ëndrrat e veta pret t’i realizojë në këtë qytet e këtë shtet në tërësi”, është shprehur ai.
Po ashtu, ka përmendur punët që po vazhdojnë të bëhen në infrastrukturën e Deçanit e shkolla.
“Ka projekte që kanë të bëjnë me infrastrukturën, po vazhdojmë me punimet në qendër që janë në fazën e fundit, po punojmë në disa vendbanime me infrastrukturë rrugore, i kemi përfunduar 7-8 vendbanime tjera, ku ka shtëpi ka asfalt, kemi punuar shumë në ndriçimin publik, kemi punuar me trotuare, përreth shkollave që të ketë siguri për fëmijët tanë, jemi duke e ndërtuar pishinën gjysmë olimpike, kemi futur në funksion dy shkolla të reja, dy të tjera janë afër përfundimit e të tjera, pa dashur t’i përmendim të gjitha sepse lista është e gjatë”, ka theksuar i pari i Deçanit.
Sipas Institutit GAP, në një raport të publikuar së fundi, Ramosaj nuk ka realizuar 6 nga 20 premtime të bëra katër vite më parë.
Ai për Gazeta Blic ka folur për premtimet që s’ka realizuar dhe prej të cilave nuk heq dorë, arsyet pse nuk i ka realizuar, ndër të tjera mungesa e mjeteve financiare për shkak të kostos së lartë për realizimin e atyre projekteve.
“Këto premtime që nuk janë realizuar do t’i kem prapë pjesë të premtimeve të mia, për shkak se janë koncepte që janë ndërtuar mbi një bazë tepër të madhe të ekspertizës, kemi ndarë buxhet për të gjitha këto që nuk janë realizuar, i kemi realizuar 70 për qind të premtimeve por janë 30 për qind që nuk janë realizuar për arsye se kanë kosto të lartë buxhetore. Nëse flasim për pendët akumuluese të fshatin Hulaj, në vitin 2018 kemi hartuar një projekt që ju bën zgjidhje për ujë të pijes qytetarëve të Deçanit dhe jo aq dhe brenda këtij koncepti kemi projektuar mundësinë e ujitjes së pronave bujqësore, mandej dhe fabrikën e ujit. Ky projekt në kohën kur është hartuar ka qenë projekti më i rëndësishëm për ne por që i ka fascinuar edhe ekspertët e kësaj lëmie dhe kemi bërë përpjekje kohë pas kohe që të marrim buxhet nga qeveria dhe të konkurrojmë në fondet buxhetore ndërkombëtare por që ende nuk e ka parë dritën e nisjes si projekt i tillë. Ka kosto tepër të lartë, më shumë se 56 milionë euro”, ka potencuar ai.
Ramosaj ka folur dhe për projektin për qendrën e qytetit që kap vlerësn e 22 milionë eurove.
“Njëkohësisht premtimi tjetër është qendra e qytetit, një projekt që më vjen mirë që po merret model nga komunat tjera, është projekti më unikat, ka të bëjë me sheshin e qytetit, largimi i ndërtesave administrative dhe harmonizimi i sheshit me atë që është e nevojshme e domosdoshme dhe e lidhur me atë që është qyteti turistik siç njihet Deçani dhe për këtë duhet një kosto që komuna e Deçanit s’mund ta bart e vetme, 22 milionë euro. Premtim tjetër janë premtime që s’mund të heq dorë prej tyre sepse është bërë mund tepër i madh si Parku Nacional, pastaj kemi kanalizime, ujërat e zeza e shumë projekte tjera, prej të cilave unë nuk heq dorë sepse s’jemi renditur komuna e parë, kemi pasur kërkesë që t’i tërheqim një pjesë të vendimeve, nganjëherë nuk ka rëndësi se në cilin vend renditesh por qëllimi se ku do të arrish”, ka deklaruar Bashkim Ramosaj.
Kandidati i AAK-së për kryetar të Deçanit ka treguar dhe premtimet për mandatin e ardhshëm që synon.
“Janë premtime thuajse të njëjta që kanë zgjidhje pak më inovative në kuptim të standardit që po krijohet tashmë në këtë qytet. Ajo që është e domosdoshme për këtë kohë është marrja seriozisht me trajtimin e ujërave të zeza në impiante që ta kemi një qytet tamam ekologjik, të kemi shërbime më cilësore edhe administrative, edhe në shëndetësi, edhe në arsim, në cilësi dhe t’i kemi disa shërbime më të mira si për ujë për arsye humane dhe ata për ujitje të tokave bujqësore dhe t’i kemi disa zgjidhje që janë elokuente me aspektin vizual që i japin kuptim qytetit, që e bëjnë një qytet të kalibrit evropian është synim i krejt neve, e deri te ato që janë sektoriale që e kanë pasur në të kaluarën dhe që do ta kenë përkushtimin tonë maksimal që t’i arrijmë si projekte”, ka thënë ai.
/Gazeta Blic/


