Lajme

“Bashkë. Përpara”, “Zgjedh shpresën”, “Krah teje”: Partitë prezantojnë sloganet politike për zgjedhjet e 28 dhjetorit

12/11/2025 10:37
nga:G B

Partitë politikë janë bërë gati për fushatën e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Përveç mobilizimit të strukturuarve partiake dhe prezantimit të listës së kandidatëve për deputetë, ato tashmë kanë shpalosur edhe sloganet e tyre politike. Deri me tani liderët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së i kanë publikuar ato në profilet e tyre në rrjetet sociale. Një gjë të tillë nuk e ka bërë ende vetëm lideri i LVV-së, Albin Kurtit.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka bërë me dije dje se slogani i kësaj parti për zgjedhjet e 28 dhjetorit do të jetë: “Bashkë. Përpara”.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se kur qytetarët janë bashkë edhe Kosova ec përpara.

“Bashkë. Përpara. Ky është slogani ynë dhe zotimi ynë. Fuqia e Kosovës qëndron te qytetarët e saj dhe ne duhet t’ia japim vendit të ardhmen që e meriton. Kur jemi bashkë, Kosova ecën përpara. #PDK130”, ka shkruar Hamza.

Ditë me parë edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka treguar moton e kësaj partie.

Ai ka bërë me dije LDK-ja synon fitoren në këto zgjedhje nën sloganin “zgjidhe shpresën”.

“Ndjenja e gadishmëria mes strukturave tone është ajo që duhet; e fortë, e sinqertë dhe plot motivim. Secili prej tyre e di peshën e këtij momenti. Secili e di që Kosova ka nevojë për normalitet, për stabilitet, për zhvillim. Dhe mbi të gjitha, për shpresë. E filluam këtë betejë si ekip. E vazhdojmë si ekip. Dhe do ta përmbyllim si ekip. Shpresë ka. Zgjidheni atë!”, ka shkruar ai.

Kurse, sloganin i AAK-së për 28 dhjetor do të jetë “Krah teje”.

Në profilin e tij në “Facebook”, Haradinaj ka shpjeguar këtë slogan.

“‘Krah teje” është zotimi i Aleancës për të qenë pranë qytetarëve në çdo hap, krah Kosovës në luftë e paqe! “Krah teje” do të thotë të jesh prezent në sfida, në vendime dhe në përpjekjet për një Kosovë me më shumë mundësi, zhvillim e mirëqenie. Krah teje, sepse Kosova rritet kur e ka krahun e fortë!”, ka shkruar Haradinaj.

Deri me tani vetëm partia më e madhe në vend, VV-ja, nuk e ka publikuar sloganin e saj.

Lideri i kësaj partie, Albin Kurti, në profilin e tij në “Facebook” ka publikuar vetëm numrin me të cilin do të garojë kjo parti në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

“Me numrin 116 bashkë me qytetarët angazhohemi për një fitore edhe më të madhe”, ka shkruar Kurti.