Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha bashkë me zëvendëskryeministren, Donika Gërvalla që është kryetare e partisë Guxo dhe kryetaren e Alternativës, Mimoza Kusari Lila, kanë bërë homazhe pranë varrit të ish-presidentit Ibrahim Rugova në përvjetorin e 20-të të vdekjes së tij.
Kryeparlamentari e vlerësoi ish-presidentin Rugova si një nga figurat më të shquara të kombit.
Ai tha se Rugova ka merita të jashtëzakonshme, duke filluar me udhëheqjen e popullit në kohëra dhe rrethana të vështira .
“Po flasim për kohëra kur ushtrohej dhunë e terror ndaj popullit tonë, në kohëra kur qytetarët po dëboheshin nga puna dhe nga institucionet arsimore aso kohe. Ishim një popull që po dhunohej një, popull i papunë dhe që synohej nga regjimi fashist i Millosheviqit të mbesnim edhe të paarsimuar. Si një njeri i letrave ai e kuptoi shpejt dhe ndërmori hatat e parë dhe të menjëhershëm për instalimin e një sistemi arsimor paralel që ishte një arritje e jashtëzakonshme për kohën, meqë ai e kuptoi shpejt se arma dhe shpresa jonë e vetme aso kohë ishte që të mos besim të paarsimuar dhe ky sistem u mirëmbajt për 10 vite me radhë falë këtu edhe shumë kuadrove arsimore që aso kohe rrezikuan e sakrifikuan”, tha Basha.
Kryeparlamentari, gjithashtu tha se Rugova ka një meritë të jashtëzakonshme në ndërkombëtarizimin çështjes shqiptare. “Marrë parasysh që aso kohe pak kush dinte ku ndodhet Kosova dhe për problemet që ballafaqoheshim, ai arriti të depërtonte në qendrat kryesore botërore duke ndërkombëtarizuar çështjen shqiptare dhe duke shpërfaqë terrorin e dhunën e Serbisë që po ushtrohej atëherë”, deklaroi Basha, pas homazheve në 20-të vjetorin e vdekjes së ish-presidentit Rugova.


