Lajme

Basha: Rënia e Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës ishte frymëzim për luftën çlirimtare

01/31/2026 18:20
nga:Sh R

Kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka përkujtuar sot 29-vjetorin e rënies së Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës, duke e cilësuar këtë datë si një nga kapitujt më të rëndë, por edhe më domethënës të rezistencës së armatosur që i parapriu lirisë së Kosovës.

“Sot shënohet 29-vjetori i rënies së Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës, në një nga kapitujt më të rëndë, por edhe më domethënës të rezistencës së armatosur që i parapriu lirisë së vendit tonë”, ka shkruar Basha.

Ai ka theksuar se Zahir Pajaziti ishte ndër figurat themeluese të organizimit çlirimtar, duke e përshkruar si veprimtar të hershëm, të formuar politikisht dhe të vendosur qartë në rrugën e përballjes me shtypjen e regjimit të Millosheviqit.

“Zahiri, Hakifi dhe Edmondi, bashkë me bashkëluftëtarët e tyre, me bindjen dhe përgjegjësinë e tyre e shndërruan rezistencën në mision personal, për të cilin u angazhuan me tërë qenien deri në momentet e fundit të rënies”, ka shkruar ai.

Sipas Bashës, rënia e tyre ishte një goditje e rëndë për organizimin e asaj kohe, por njëkohësisht një mesazh i fuqishëm dhe frymëzim për luftën çlirimtare.

“Rënia e tyre ishte goditje e rëndë për organizimin e asaj kohe, por edhe kumt i fuqishëm për luftën çlirimtare dhe frymëzim për djemtë dhe vajzat që kapën pushkën për liri”, ka theksuar kryetari në detyrë i Kuvendit.

Basha ka nderuar sakrificën e dëshmorëve, duke vënë në pah çmimin e lartë të lirisë.

“Në këtë përvjetor, përulemi me respekt para veprës dhe jetës së Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës, si dhe para të gjithë dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shtuari ai.