Lajme

Barten gjësendet nga aneksi i Stacionit Policor në Prishtinë, ku operonte një OJQ me “rrezik për sigurinë e vendit”

05/27/2024 11:11
nga:G B

Që nga orët e mëngjesit me një autoambulancë ka filluar bartja gjësendeve nga zyra në aneksin e Stacionit Policor Qendra, në Prishtinë.

Kjo zyrë e organizatës jo-qeveritare “Centar za Mir i Toleranciju Pristina”, apo “Qendra për Paqe dhe Tolerancë Prishtina”, ishte bastisur më 31 janar të këtij viti, pasi pretendohet se ka funksionuar ilegalisht që nga përfundimi i luftës.

Aty dyshohet se ofroheshin shërbime mjekësore kundërligjshëm.

Atëbotë sipas ministrit Xhelal Sveçla, kjo OJQ nuk e ka respektuar legjislacionin në fuqi duke e cilësuar si organizatë që paraqet rrezik për Kosovën…

“Një veprimtari e tillë në mes të tre institucioneve më të larta të sigurisë së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Kryeprokurorisë dhe Policisë së Kosovës është tejet e dyshimtë dhe paraqet rrezik për sigurinë e vendit”, shkruante Sveçla në Facebook.