Lajme

Barrikadat vazhdojnë të qëndrojnë në veri, analistët tregojnë kush duhet t’i heqë ato – mesazhi për Kurtin

12/19/2022 22:49
nga:G B

Janë bërë 10 ditë që kur serbët në veri vendosën barrikada, duke bllokuar kështu rrugët.

Ato nuk janë hequr pavarësisht thirrjeve nga ndërkombëtarët. Madje, ditëve të fundit janë vendosur dhe barrikada të reja.

E, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë sot se barrikadat nuk do të qëndrojnë gjatë.

Ai edhe më herët ka kërkuar që KFOR-i ta sigurojë lirinë e lëvizjes në atë pjesë, teksa sot ka thënë se KFOR-i ka kërkuar pak më shumë kohë.

Lidhur me këtë, ish deputetja Shqipe Pantina, thotë për Gazeta Blic se çështja e veriut është problem më i madh se largimi i barrikadave dhe se me heqjen e tyre nuk e zgjidh problemin.

“Çështja e veriut të Kosovës është problem shumë më i madh se largimi i barrikadave. Atje nuk funksionon asnjë institucion i Republikës së Kosovës, prandaj heqja e barrikadave nuk e zgjidh problemin”, thotë ajo.

Pantina vlerëson se heqja e barrikadave duhet të bëhet nga ata që i kanë vendosur dhe të bëhet me marrëveshje politike.

“Heqja e barrikadave duhet të bëhet nga ata që i kanë vendosur por kjo mund të bëhet vetëm pas një marrëveshje politike”, thekson ish deputetja për Gazeta Blic.

Sipas Pantinës, qeveria nuk duhet të insistojë në përdorimin e policisë sepse mund të përshkallëzojë situata dhe Kurti duhet të bashkëpunojë me sinqeritet me faktorët ndërkombëtare, përfshirë KFOR-in.

“Qeveria jonë nuk duhet të insistojë në përdorimin e policisë sepse kjo vetëm mund ta përshkallëzojë situatën. Kryeministri Kurti duhet të bashkëpunojë me sinqeritet me faktorët ndërkombëtare, përfshirë KFOR-in dhe të heq dorë nga deklaratat populiste”, deklaron Shqipe Pantina.

Ndërsa, analisti politik, Gazmir Raci, thotë se nuk duhet të hiqen targat me marrëveshje politike dhe se përgjegjësi për këtë kanë Policia e Kosovës dhe KFOR-i.

“Barrikadat nuk guxon të hiqen me marrëveshje politike sepse po krijohet një precedan i rëndë në këtë drejtim dhe pastaj Serbia sa herë dëshiron të arrijë diçka i përdor këto barrikada. Policia e Kosovës dhe KFOR-i kanë përgjegjësi për sigurimin e lëvizjes së lirë”, thekson ai për Gazeta Blic.

Sipas tij, BE duhet t’ia bëjë të qartë Serbisë për sjellën në dialog dhe se Kosova kohën e fundit ka bërë kompromise për arritjen e marrëveshjes finale.

“Ndërmjetësit e BE-së duhet të janë bëjnë të qartë Serbisë se nuk mund të sillet në dialog përmes këtyre metodave destabilizuese. Kosova kohën e fundit i bëri dy kompromise për t’i dhënë shans arritjes së marrëveshjes finale sipas propozimit tashmë që quhet Propozimi i Brukselit, por si duket Serbisë edhe ky propozim nuk po i pëlqen”, deklaron Raci./Gazeta Blic/