Lajme

Barka e tretë me emigrantë që përmbytet brenda tre ditëve në Greqi, 16 të vdekur

12/25/2021 10:03
nga:M K

Të paktën 16 persona kanë vdekur, pasi një barkë me emigrantë u përmbyt në Detin Egje të premten vonë, duke e çuar në të paktën 30 numrin e përgjithshëm të viktimave nga tri aksidente në po aq ditë me barka emigantësh në ujërat greke.

Roja bregdetare tha se 62 persona janë shpëtuar, pasi barka e tyre u përmbyt të premten vonë tetë kilometra larg ishullit Paros, në pjesën qendrore të Detit Egje. Të mbijetuarit i thanë rojës brengdetare se në barkë ndodheshin rreth 80 persona.

Agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve, “Athina”, tha se trupat e dymbëdhjetë burrave, tri grave e një foshnjeje janë nxjerrë nga zona e përmbytjes së barkës, shkruan The Guardian.

Pesë barka patrulluese të rojës bregdetare, nëntë barka private, një helikopter dhe një aeroplan transportues ushtarak e vazhduan kërkimin gjatë natës për më shumë të mbijetuar, thanë autoritetet. Në operacionin e kërkimit morën pjesë edhe zhytësit e rojës bregdetare.

Më herët, 11 persona u konfirmuan të vdekur, pasi barka e tyre u përplas në një ishull të vogël guror, rreth 235 kilometra në jug të Athinës, afër ishullit Antikythera. Roja bregdetare tha të premten se 52 burra, 11 gra e 27 fëmijë janë shpëtuar pas qëndrimit në ishullin e vogël për disa orë.

Në një incident tjetër të premten, policia greke arrestoi tre persona nën akuzën për trafikim dhe ndaloi 92 emigrantë, pasi një jaht ngeci në territor tokësor në rajonin jugor të Peloponezit.