Sporti

Barella gati të refuzojë një ofertë të ‘çmendur’ nga Arabia Saudite

3 ditë më parë
nga:Mergim Rreci

Interesi i Al Hilal për Nicolò Barellën është i hershëm, oferta e parë kishte mbërritur gjatë merkatos të dimrit kur mesfushori kishte refuzuar me dashamirësi për shkak të dëshirës së tij për të qëndruar tek Interi.

Por klubi arab nuk është nga ata që heqin dorë nga preja e tyre shumë lehtë dhe po planifikon një tjetër tentativë me shifra të çmendura për të bindur Barellën të largohet nga Seria A për në Ligën Pro Saudite: nëse në janar flitej për një pagë prej 18 milionë eurosh, këtë herë zërat që vijnë nga Arabia, të raportuara nga La Gazzetta dello Sport, flasin për një kontratë katër-vjeçare me 35 milionë në vit për një total prej 140 milionësh.

Nëse do të pranonte ofertën arabe, Barella do të bëhej futbollisti italian më i paguar në histori, tashmë rekordin e mban Graziano Pellé, i cili fitonte 15 milionë në vit në Kinë.

Por duket se ky rekord nuk i intereson zv/kapitenit të zikaltërve, i cili në fakt planifikon të qëndrojë për një kohë të gjatë në Milano. Barella ndihet mirë në Milano dhe ndihet mirë tek Inter: në kokën e tij nuk ka sirena arabe por ai po përpiqet të fitojë trofe të tjerë me zikaltërit.