Lajme

Bardhyl Jerliu letër ministrit Rifat Latifi: Dorëhiqem nga bordi i sekretarisë teknike, u kërcënova dhe u ofendova

06/05/2022 18:12
nga:Astrit Gashi

Bardhyl Jerliu ka dhënë dorëheqje nga Sekretaria Teknike në Bordin për trajtim mjekësor jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike (TMJIShP).

Ai i ka dërguar një letër ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, ku thotë se një nga arsyet e dorëheqjes është kërcënimi që ka marrë nga Arben Grazhdani.

“Në takimin e mbajtur më datë 25.03.2022, pikërisht për reagimin tim ndaj një veprimi të gabuar të Bordit, takimi merr një kahje tjetër dhe i gjithë debati kalon në fyerje, ofendim dhe kërcënim serioz ndaj meje, ku z. Arben GRAZHDANI, ndër të tjera, më drejtohet me fjalët se: “Unë të heqë kur të dua nga nga Bordi dhe jo vetëm nga Bordi, prandaj ose duhet të bashkohesh me grupin ose duhet të largohesh sepse me këto reagime ju po distancoheni nga grupi” duke më vënë kështu edhe epitetin prej “tradhtari” dhe duke thënë se jeni i padëshiruar në këtë grup”, thotë Jerliu.

Ai tutje thotë se pas kërcënimeve që ka marrë e ka të pamundur të jetë pjesë e Bordit.

“Prandaj i nderuar z. Ministër, duke marrë parasysh të gjitha këto që u thanë më lartë si dhe rrjedhën e ngjarjeve nga takimi i fundit i Bordit për TMJIShP, ku ndjehem jashtëzakonisht i fyer dhe i kërcënuar, me anë të kësaj shkrese jap dorëheqje nga detyra e sekretarisë teknike sepse e kam të pamundur të vazhdoj tutje dhe nuk dua të jemë më pjesë e këtij Bordi”, thotë Jerliu në letrën e dërguar ministrit Latifi.