Lajme

Bardhi: Emigrantët e sjellë në Shqipëri, të rrezikshëm, nëse do kryenin krim, kush mban përgjegjësi?

10/19/2024 22:40
nga:Y I

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me një deklaratë të zv/kryeministrit të Italisë, Mateo Salvini.

Ky i fundit, duke folur për mediat italiane, deklaroi se, nëse emigrantët e kthyer nga Shqipëria në Itali, do të kryejnë një krim, përgjegjësi do të mbajnë gjykatësit.

E pikërisht për këtë deklaratë, Bardhi shkruan se, këta emigrantë që sillen në Shqipëri janë të rrezikshëm dhe nëse kryejnë një krim në vendin tonë, kush do të mbajë përgjegjësi?

Reagimi Gazment Bardhit:

Media raporton se Zëvendëskryeministri i Italisë, z. Mateo Salvini, ka reaguar në lidhje me kthimin në Itali të emigrantëve nga kampi i Gjadrit-Shqipëri, pas vendimit të Gjykatës së Romës. Në një intervistë për Tg1, Salvini pyeti se cili do të mbante përgjegjësinë nëse nesër dikush nga këto 12 persona do të kryente një krim të rëndë, një përdhunim apo vrasje, kush do të ishte përgjegjës, gjykatësi?

Kjo nënkupton që për zëvendëskryeministrin italian prezenca e këtyre emigrantëve në territorin italian është një rrezik për jetën dhe shëndetin e qytetarëve italian, sepse ata mund të vrasin apo përdhunojnë, prandaj duhen dërguar për qëndrim në Shqipëri!

Pas kësaj deklarate me të drejtë secili prej nesh në Shqipëri duhet të bëjë të njëjtën pyetje që Zëvendëskryeministri ka bërë për rikthimin e tyre në Itali:

– Nëse ata vazhdonin të qëndronin në Shqipëri dhe do të kryenin një krim të rëndë, një përdhunim apo vrasje, kush do të ishte përgjegjës?

– Nëse emigrantët e rinj që raportohet se do vijnë përsëri nga Italia në Shqipëri, sipas një marrëveshje personale të Edi Ramës, do të kryenin një krim të rëndë, kundër jetës dhe shëndetit të qytetarëve shqiptarë, një përdhunim apo vrasje, kush do të ishte përgjegjës?

Me të drejtë Zëvendëskryeministri Italian z. Mateo Salvini kujdeset për jetën dhe shëndetin e qytetarëve të tij. Ai është zgjedhur për këtë nga qytetarët italian. Por për jetën dhe shëndetin e qytetarëve shqiptarëve kush kujdeset, Edi Rama që ka nënshkruar një marrëveshje vetëm për përfitime personale, por që rrezikon sigurinë e qytetarëve?

Kjo deklaratë e Zëvendëskryeministrit z. Salvini nxjerr qartë në sipërfaqe dallimin mes një Qeverie të përgjegjshme që kujdeset për sigurinë e qytetarëve të vet dhe një Kryeministri/Qeverie të papërgjegjshme që kujdeset vetëm për veten dhe përfitimet personale, propagandën dhe reklamën ‘si shpëtimtar i botës’, duke vënë në rrezik sigurinë e qytetarëve.