Geek

Barcelonë, panairi i teknologjisë me risitë më të reja

03/06/2024 14:49
nga:N K

Në Barcelonë të Spanjës u zhvillua panairi më i madh i teknologjisë ku morën pjesë kompani nga e gjithë bota. Por këtë vit vend kryesor zuri inteligjenca artificiale dhe kombinimi i saj në shumë aplikacione që përdoren në telefona apo në kompjutera.

Ndër pajisjet e prezantuara është edhe një laptop me ekran transparent që kombinon inteligjencën artificiale dhe realitetin virtual. Kompjuteri nuk do të dal në treg së shpejti, por firma Lenovo që e prodhon atë, thotë se pajisja tregon aftësitë e përdorimit të teknologjisë.

Ky është një laptop i së ardhmes i prodhuar nga kompania Lenovo. Modeli “ThinkBook” ka një ekran transparent pa kornizë që shfrytëzon teknologjinë Micro-LED.

“Ekrani ushqehet me pamje nga një kamera që filmon imazhet ose objektet prapa kompjuterit. Inteligjenca artificiale e identifikon objektin ku është e fokusuar kamera dhe mund të ofrojë të dhëna rreth tij”, thotë Ag Zheng me firmën Lenovo.

Kompjuteri i të ardhmes është ende në fazën e konceptit dhe ende nuk është gati për prodhim masiv. Megjithatë, firma Lenovo thotë se kjo është teknologjia që do të përdorin në të ardhmen kompjuterat portativë.

“Kjo është prova e një koncepti për ekran transparent që e lejon përdoruesin të ndërveprojë me botën reale. Ekrani transparent e lehtëson ndërthurjen e inteligjencës artificiale me realitetin e shtuar të botës reale”, thotë Tom Butler me degën komerciale të firmës Lenovo.

Pajisja përdor teknologji që integron botën virtuale me atë reale. Duke përdorur përmbajtje të ‘prodhuara’ nga inteligjenca artificiale, në ekran mund të mbivendosen të dhëna dixhitale përkarshi objekteve fizike që filmon kamera. Lenovo thotë se kompjuteri në fjalë mund të përdoret kudo.

“Paneli që ndriçon ekranin të jep mundësinë e përdorimit të kompjuterit portativ kudo në natyrë. Mund të punoj jashtë në natyrë dhe madje të përdor edhe lapsin dixhital”, thotë zoti Butler.

Kompjuteri futurist me ekran transparent nuk do të dalë në treg së shpejti ndërsa firma Lenovo thotë se kjo është teknologjia e së ardhmes.