Sporti

Barcelona me interesim serioz për Fisnik Asllanin

03/28/2026 16:18
nga:Mergim Rreci

Fisnik Asllani po vazhdon të tërheqë vëmendjen në tregun evropian të transferimeve, me FC Barcelona që e ka vendosur në listën e objektivave për afatin kalimtar veror.

Interesi i klubit katalanas është konfirmuar edhe nga agjenti i lojtarit, Ayman Dahmani, i cili ka zbuluar se tashmë kanë ekzistuar kontakte konkrete mes palëve për një transferim të mundshëm. Sipas tij, largimi i Asllanit nga Hoffenheimi do të ndodhë vetëm në rast se paguhet klauzola e lirimit, e cila raportohet të jetë mes 25 dhe 29 milionë euro.

Forma e shkëlqyer e sulmuesit kosovar ka qenë vendimtare në rritjen e interesit ndaj tij. Ai spikati së fundmi në fitoren dramatike të Kosovës ndaj Sllovakisë, ku kontribuoi me gol. Në nivel klubi, Asllani ka realizuar 9 gola dhe 6 asistime në 28 ndeshje këtë sezon, ndërsa me kombëtaren ka shënuar 4 gola në 7 paraqitjet e fundit.

Barcelona, në kërkim të përforcimeve në repartin ofensiv për sezonin e ardhshëm, vazhdon të monitorojë disa opsione. Sipas raportimeve, objektivi kryesor mbetet Julian Alvarez i Atlético  Madrid, megjithatë një transferim i tij duket i vështirë për t’u realizuar. Në këtë kontekst, Asllani shihet si një alternativë më e re dhe më ekonomike, me potencial të madh për zhvillim në skenën ndërkombëtare.

/GazetaBlic Sport/