Lajme

Banorëve të disa fshatrave në Kaçanik iu bëhet thirrje ta vlojnë ujin, dyshohet për ndotje

07/06/2022 13:00
nga:Q R

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Dëshmoret e Lirisë” në Kaçanik u ka bërë thirrje banorëve të disa lokaliteve atje që ujin për pije para përdorimit ta vlojnë atë pasi që dyshohet se ai ujë është i ndotur.

Përmes një postimi në Facebook, u bë e ditur se dy ditët e fundit ka pasur raste të shumta të pacientëve me simptoma të vjelljes, temperaturës, mundimit e plogështisë.

“Qytetarë të lokaliteteve Nikaj, Rekë, Biçec, Dubravë, Doganaj ju rekomandojmë që ujin për pije t’a vloni para përdorimit, pasi që ujin që po e përdorni për pije po dyshojmë se është i ndotur. Gjatë këtyre 2 ditëve kemi pasë raste të shumta të pacientëve me simptome të vjelljes, temperaturës,barkqitjes, mundimit, plogështisë. Shumica e pacientëve janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë trajtuar në QKMF dhe deri më tani nuk e kemi asnjë pacient të hospitalizuar”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

Tutje, bëhet e ditur se situata tashmë është nën kontroll dhe se janë marrë disa mostra nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, për analiza kimike dhe bakteriologjike.