Lajme

Banorët e zhvendosur libanezë fillojnë kthimin në shtëpi pas armëpushimit Izrael-Hezbollah

11/27/2024 08:44
nga:Y I

Banorët e zhvendosur libanezë kanë filluar të kthehen në shtëpitë e tyre pasi armëpushimi mes Izraelit dhe Hezbollahut hyri në fuqi të mërkurën, raportuan mediat shtetërore libaneze.

Agjencia shtetërore e lajmeve NNA raportoi trafik të rënduar në rrugët që çojnë drejt Luginës së Bekasit dhe Libanit Jugor, pavarësisht paralajmërimeve nga ushtria izraelite që banorët e zhvendosur të jugut të mos kthehen ende, transmeton Klankosova.tv.

“Banorët e Jugut dhe të Bekasit filluan të kthehen në fshatrat e tyre”, raportoi NNA, duke vënë në dukje konvojët e makinave që transportonin familje.

Pamjet e transmetuara nga agjencia Reuters treguan radhë të gjata makinash duke lëvizur drejt qytetit jugor të Tiros disa orë pas fillimit të armëpushimit. Më shumë se 1.3 milionë njerëz në Liban janë zhvendosur gjatë më shumë se një viti luftimesh, sipas agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët, raporton CNN.

Si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit, forcat izraelite duhet të tërhiqen nga Libani brenda 60 ditësh, ndërsa luftëtarët e Hezbollahut pritet të tërhiqen 40 kilometra nga kufiri me Izraelin.

Tërheqjet mund të kërkojnë kohë për të përfunduar.