Lajme

Banorët e Carallukës në Malishevë të terrorizuar nga hajnat: S’jemi të qetë që një javë

01/29/2026 17:00
nga:G B

Caralluga e Malishevës është përballur me disa raste të vjedhjeve, duke shkaktuar shqetësim tek banorët.

Së fundmi, hajnat kanë hyrë edhe në shtëpinë e një mërgimtari, nga e cila janë vjedhur para, ku pikërisht këto shtëpi të cilat për periudha të gjata mbesin pa përkujdesje dhe pa banorë, janë shpesh cak i hajnave dhe vjedhjeve.

Rastin për Klankosova e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë Rajonale të Gjakovës, Sheremet Elezi, i cili ka bërë të ditur se përveç kësaj vjedhjeje, persona të panjohur kanë tentuar të kryejnë vjedhje edhe në një lokacion tjetër, por që nuk kanë arritur.

Sipas Elezit, deri më tani nuk ka persona të arrestuar dhe as të dyshuar lidhur me këto raste.

Megjithatë, ai ka pranuar se situata mund të jetë shqetësuese për qytetarët, ndonëse policia vlerëson se nuk bëhet fjalë për gjendje alarmante.

Banorët e Carallugës janë shprehur të brengosur, duke theksuar se raste të tilla janë bërë të shpeshta kohëve të fundit.

“Në fshatin Carallugë të Malishevës tash e një javë banorët nuk janë të qetë për shkak të vjedhjeve të shpeshta”, është shprehur një nga banorët.