Sporti

Balotelli ankohet për thirrje raciste ndaj tij në Emiratet e Bashkuara Arabe

02/12/2026 20:21
nga:Mergim Rreci

Sulmuesi italian Mario Balotelli ka denoncuar publikisht një episod racizmi gjatë aventurës së tij të re në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Përmes një postimi në “Instagram”, lojtari i Al-Ittifaq në Dubai shprehu indinjatën e tij pasi u bë shënjestër e fyerjeve raciste nga tifozët gjatë një ndeshjeje.

“Më thanë vazhdimisht: Shko ha banane. Nuk e prisja një sjellje të tillë në këtë kampionat”, shkroi Balotelli.

Sulmuesi, i cili sapo është rikthyer në fushë pas një periudhe pushimi pas largimit nga Genoa, bëri thirrje për masa serioze nga autoritetet futbollistike.

“Mjaft më”, ishte mesazhi i tij i qartë, duke kërkuar ndërgjegjësim për problemin që prek shumë sportistë anembanë botës.

Vlen të përmendet, se Balotelli gjeti rrugën e rrjetës ne debutimin me skuadrën e re, duke shënuar golin e dytë, në fitoren 3-1 ndaj Gulf United.