Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka folur për projektin e portit të përbashkët midis Kosovës dhe Shqipërisë që, sipas saj, do t’i sjellë shumë dobi Kosovës.
“Kompania holandeze ‘Royal Haskoning’ ka bërë prezantimin e idesë për ndërlidhjen midis portit të Porto Romanos, porti të ri ndërkombëtar që Shqipëria do të ndërtojë përmes hekurudhës që ne jemi angazhuar prej tetorit të vitit të kaluar e që do të fillojmë punën dhe tashmë edhe kemi buxhetuar që të dyja qeveritë paratë për t’i dhënë mundësi këtij studimi që të nisë sa më shpejt. Pra, kjo hekurudhë do të lidhë Durrësin me një port të thatë që është një koncept i ri për sa i përket botës së transportit por një projekt i cili ka rezultuar i suksesshëm, disa nga vendet më të rëndësishme me volumet më të mëdha të transportit detar”, ka thënë Balluku për Info Magazine të Klan Kosovës.
“Projekti ynë është mirëpritur nga qeveria e Kosovës. Ne do ta detajojmë më tej pasi është në një fazë fillestare ky projekt i portit të thatë por që do t’i jepte Kosovës një rëndësi të veçantë në rajon pasi nuk do të përpunonte vetëm mallrat që do të vinin në portin e Durrësit me destinacion Kosovën por edhe sasi mallrash, të cilat do të ishin të destinuara edhe për vendet e tjera të rajonit perëndimor të Ballkanit por edhe për më tej siç mund të jetë Hungaria apo Austria”.
“Kështu që ne shpresojmë shumë që ashtu si dhe ne që e kemi këtë projekt shumë për zemër dhe po kujdesemi që ta rrisim dhe ta dorëzojmë sa më shpejt, edhe qeveria kosovare ta marrë me të njëjtin intensitet dhe përgjegjësi dhe të arrijmë që vitin e ardhshëm të dorëzojmë një projekt të mirëfilltë të portit të thatë të Prishtinës të ndërlidhur me atë të portit të ri të Durrësit”.


