Lajme

“Ballkani me plagë të hapura”/ Pas mesazhit të Trump, Haliti paralajmëron “ngjarje të paparashikueshme”

06/16/2025 20:52
nga:G B

Ish deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti, ka komentuar deklaratën e presidentit amerikan, Donald Trump, se do t’i kthehet çështjes Kosovë-Serbi.

Ai në një prononcim për Gazeta Blic, ka thënë se SHBA është e përkushtuar për paqen në Ballkan, teksa vlerëson se Ballkani ka mbetur me plagë të hapura, për shkak të mos zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe marrëveshjes së Uashingtonit.

Si gjithnjë, Amerika e para, Amerika e përkushtuar për paqen në Ballkan. Presidenti Trump e pat filluar mirë, duke obliguar nënshkrimin e zbatimin e marrëveshjes në mes të dy vendeve tona, për të cilën garantues ishte Presidenti Trump që nënkupton Qeveria e SHBA. Tani pash dështimeve pesëvjeçare për moszbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe marrëveshjes së Uashingtonit, Ballkani ka mbetur me plagë të hapura, plagë të cilat politikanët e mençur e të arsyeshëm duhet t’i shërojnë dhe për shërimin e tyre të gjendet ilaçi i duhur”, ka thënë ai.

Haliti thekson se duhet gatishmëri nga palët që të nisin zbatimin e marrëveshjeve, teksa thotë se Kosova është pa qeveri, që është pengesë për ndërkombëtarët që të rinisin procesin e bisedimeve.

“Zgjidhja më e mirë do ishte të mbizotërojë arsyeshmëria dhe gatishmëria e palëve që menjëherë të fillojë zbatimi i të gjitha marrëveshjeve, me qëllim që mos të ketë nevojë të ushtrohet presion nga fuqitë e mëdha. ShBA-të janë të angazhuara në luftërat që po ndodhin në Evropë, Azi e Lindjen e Mesme. Por Kosova është pa Qeveri. E të qenit pa qeveri është bërë pengesë edhe e ndërkombëtarëve që të rifillojnë procesin e ri të negociatave, proces i cili do jetë i vështirë për të dyja palët”, ka potencuar ish deputeti për Gazeta Blic.

Ai paralajmëron zhvillime të reja dhe ngjarje të paparashikueshme pas krijimit të qeverisë.

“Mendoj që menjëherë pas krijimit të qeverisë do ketë zhvillime të reja dhe ngjarje të paparashikueshme. Presioni do jetë i madh dhe kushtet do jenë të vështira”, ka thënë Xhavit Haliti./Gazeta Blic/

Deklarata e Trump/ Izmaku: Kemi detyrim të krijojmë institucionet pa vonesa e lojëra politike – s’mund të sillemi si shtet që nuk funksionon