Lajme

“Ballkani i Hapur”, analistët tregojnë se cili duhet të jetë pozicioni i Kosovës

06/08/2022 13:37
nga:Q R

Në Ohër të Maqedonisë së Veriut po mbahet takimi i radhës i nismës rajonale, “Ballkani i Hapur”.

Kosova ende në mënyrë kategorike refuzon t’i bashkohet kësaj nisme për shkak siҫ thonë udhëheqësit e vendit “të qasjes së Serbisë e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës”.

Nga ana tjetër, analistët në vend kanë vlerësime të ndryshme rreth kësaj çështje.

Analisti Gazmir Rraci, deklaron se Kosova duhet të mbështet të gjitha nisma rajonale që kanë garancën euroatlantike, derisa thekson se vetmja iniciativë rajonale e qëndrueshme deri tani është ajo e Berlinit WB6.

“Çdo nismë rajonale që do të ketë mbështetje dhe garancën euroatlantike, konsideroj që duhet të mbështetet nga Kosova. Pa garanci ndërkombëtare nuk ka qëndrueshmëri asnjë iniciativë. E vetmja iniciativë rajonale e qëndrueshme deri tani është ajo e Berlinit WB6”, deklaron ai për GazetaBlic.

Kurse, analistja Shqipe Pantina, konsideron se refuzimi i Kosovës për këtë nismë mund ta vë vendin në pozitë të disfavorshme, në rast se  kjo iniciativ jetësohet.

Sipas saj, mospjesëmarrja e Kosovës e lë Serbinë të hapur në gjitha ato veprime të saja të cilat kanë qenë bllokuese për integrimin e Kosovës në çfardo organizmi.

“Mendoj që refuzimi bllanko i Kosovës nuk është hap i menqur. Pjesëmarrja në takim në vetvete nuk do të thotë se Kosova do t’i bashkangjitej një iniciative të tillë, megjithatë edhe refuzimi bën atë të përjashtuar nga procese të tilla. Prandaj mosprania vetëm e Kosovës nga shtetet e rajonit mund ta vë nesër Kosovën në pozitë të disfavorshme nëse kjo iniciativ jetësohet. Kosova duhet të bëhet pjesë, mospjesmarrja e Kosovës, po e lë Serbinë të hapur në gjitha ato veprime të saja të cilat kanë qenë bllokuese për integrimin e Kosovës në çfardo organizmi”, deklarona ajo për GazetaBlic.

Themeluesit e iniciativës rajonale Ballkani i Hapur, Shqipëria, Serbia dhe Maqedoni e Veriut, kanë folur për rëndësin e pjesëmarrjes së Kosovës në këtë nismë.

Udhëheqësit e këtyre shteteve kanë ftuar sërish Kosovën që të bëhet pjesë e kësaj nisme.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se edhe Kosova e Serbia duhet të afrohen me njëra-tjetrën në këtë iniciativë për të rritur shanset për paqe.

“Besoj se sa më shumë të afrohemi aq më shumë shanse ka të zgjidhen konfliktet e të bëhen paqe mes Serbisë e Kosovës. S’kam pajtim me Vuçiqin për Kosovën. Zgjidhja është e thjeshtë. Ose mosdakordësia kthehet në konflikt permanent në të gjitha boshllëqet që mbesin në ekonominë tonë, në sigurinë tonë, ose e kundërta. Të afrohemi sa më shumë që të kuptojmë njëri-tjetrin e në fund vetë njerëzit të jenë të vetëdijshëm se e ardhmja është më e rëndësishme se e shkuara”, ka deklaruar Rama.

Edhe presidentin i Serbisë Aleksander Vuçiqi ka thënë se Prishtina është e mirëseardhur në grupet punuese për të ndihmuar ta mbijetojmë dimrin.

“Kjo është iniciativë e atyre që e kanë kuptuar se duhet të lidhen e vetë mund t’i zgjidhin problemet. S’kemi asnjë kërkesë ndaj askujt përveç se të jemi miq”, ka thënë Vuçiq.

Ndërsa, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka thënë se ftesa që Kosova t’i bashkohet “Ballkanit të Hapur” është ende e hapur.

“Kjo nismë do të bëhet edhe më atraktive. Sot me ne janë edhe përfaqësuesit e Malit të Zi dhe të Bosnjës. Ftesa për kryeministrin e Kosovës është e hapur. Do të kenë përfitime edhe shtetasit e Kosovës”, ka thënë ai.

Ky i fundit edhe zyrtarisht e ka ftuar Kosovën për pjesëmarrje në këtë samit, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka njoftuar kryeministrin e Maqedonisë së Veriut  se refuzon pjesëmarrjen në këtë takim.

Kurti ka thënë më herët se nisma Ballkani i Hapur më shumë i ngjan një Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja, sesa një nisme për treg të përbashkët rajonal.

Kosova është i vetmi vend i rajonit që  nuk po merr pjesë sot në samitin e radhës të Ballkanit të Hapur, i cili po mbahet në Oher të Maqedonisë së Veriut. Pjesë e këtij takimi janë edhe Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina të cilat ende nuk janë bërë pjesë e kësaj nisme.

 

Eskobar: SHBA-ja e përkrahë nismën e “Ballkanit të Hapur”, të mos rrezikohen nismat tjera

Rama: E dimë që mes Kosovës dhe Serbisë ka konflikt, të shkojmë drejt së ardhmes, pa i mbyllur sytë nga problemet