Në fjalën e tij në Kuvend, kreu i grupit parlamentar Taulant Balla i është përgjigjur akuzave të opozitës lidhur me administratën publike. Sipas Ballës, administrata aktualisht është në nivelet më të larta dhe aplikacioni “Aktivisti” është i hapur për të gjithë.
“Sa i përket këtyre diskutimeve të tjera, fat i madh është që diskutimet më inflamuese kanë ngelur në dorë të Mulit, se tani e kanë ngritur në detyrë dhe thotë Aktivisti Patronazhisti, këta jemi shumë krenarë që i kemi dhe do ti shtojmë sa herë të na dilni përballë. Mund tua them unë jam shtetas shqiptar, kam hyrë te aplikacioni i CDU-së, Meine CDU. Aty mund të hyjë kushdo, një i huaj apo një punonjës i administratës të secilës bashki të Gjermanisë, edhe “Aktivisit” është aplikacion i hapur. Administrata shqiptare është rregulluar, natyrshëm duhet ta ndryshojmë, si përqindje ne kemi administratën më të lartë si numër. S’jam dakord që institucione të caktuara të jenë me statusin e Nënpunësit civil, e vërteta është që ne kemi shumë punë për të bërë, por mos harroni lexoni të gjitha progres raportet.”
Balla u ndal dhe te çështja e Kosovës duke thënë se opozita po e përdor atë për debat politik të ditës.
“Një tjetër që vjen si për shkollë nate dhe propozimi ishte për një debat për situatën e Kosovës. As nuk duan t’ja dinë për Shqipërinë, por e duan Kosovën dhe Shqipërinë për debatin politik të ditës, për ta përdorur si mish për top për të gjuajtur Kryeministrin e qeverinë. Shqipëria është gjithmonë pranë popullit të Kosovës, por mos harroni që jemi vend anëtar i NATO-s, falë së cilës u bombardua për afro dy muaj Beogradi dhe falë asaj kemi sot Kosovën shtet sovran dhe që Shqipëria doni apo s’doni ju anti-amerikanët e asaj fund salle duhet të jetë me një linjë me aleancën euro-atlantike. Vjen njëri që sa ka ardh thuaj ti se do marrë armët dhe do shkojë të përballet atje. Populli i Kosovës ka nevojë për Shqipërinë dhe Shqipërinë këtu e ka.”
Balla i cilësoi Albana Vokshin dhe Flamur Nokën “budallenj”.
“Saliu ka mbaruar punë, po fat i madh që pas tij je ti dhe Muli. Ju të dy jeni personifikimi më kuptimplotë i budallait.”


