Në një kohë kur Ballkani Perëndimor ka nevojë për platforma të reja për ndërlidhje, investime dhe rritje të qëndrueshme, Balkonnect Festival 2025 po vendos standarde të reja për bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar.
I organizuar nga Prishtina REA dhe i mbështetur nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), festivali do të mbahet më 23 dhe 24 maj në Prishtinë, dhe pritet të mbledhë aktorë kyç nga më shumë se 34 shtete nga Ballkani, BE-ja, SHBA, India dhe më gjerë.
Në edicionin e parë të saj, kjo platformë ka zgjuar interes të jashtëzakonshëm – me mbi 300 kompani të regjistruara për pjesëmarrje në takimet B2B dhe një axhendë që përfshin 7 sesione tematike të fokusuara në sektorët më dinamikë të zhvillimit ekonomik dhe teknologjik.
Gjatë dy ditëve të festivalit, deri tani janë arranzhuar mbi 520 takime B2B, ku ndërmarrjet do të kenë mundësinë të takohen direkt me partnerë potencialë nga rajoni dhe jashtë tij, për të eksploruar bashkëpunime konkrete në eksport, investime, digjitalizim dhe inovacion.
Përmes një përzgjedhjeje konkurruese, janë identifikuar 20 startup-e nga Ballkani që do të prezantojnë idetë e tyre në kuadër të Pitching Event, një sesion i dedikuar për inovacionin që do të mbahet përpara një paneli të përbërë nga investitorë ndërkombëtarë, përfshirë Venture Capitalis, Business Angels dhe investitorë privat nga SHBA, Greqia, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Ballkani.
Në tërësi, festivali do të sjellë në Prishtinë mbi 50 folës nga kompani lidere ndërkombëtare, institucione financiare, organizata zhvillimore, mentor të kompanive Fortune 500 dhe Fortune 1000, rrjete startup-esh, dhe sektorë të specializuar. Diskutimet do të përfshijnë tema që variojnë nga përpunimi i drurit e metalit dhe ndërtimtaria inovative, turizmi dhe agrokultura, energjia e gjelbër, teknologjia, sektori banker e deri tek outsourcing, startup-et dhe sipërmarrja sociale.
Interesi mediatik për Balkonnect është rritur dukshëm – me mbi 300 publikime dhe përmendje në mediat rajonale; ndërkombëtare e globale, festivali është tashmë i pozicionuar si një ngjarje kyçe në kalendarin ekonomik dhe diplomatik të rajonit.
Një model i ri bashkëpunimi për Ballkanin Perëndimor
Balkonnect Festival është konceptuar si një nismë vjetore, me qëllimin për të rotuar çdo vit në një nga kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor, duke ofruar një platformë të qëndrueshme për dialog, zhvillim ekonomik dhe integrim rajonal.
Duke e vënë Prishtinën si stacionin e parë të kësaj nisme, organizatorët synojnë jo vetëm të krijojnë mundësi konkrete bashkëpunimi, por edhe të ripërcaktojnë mënyrën se si Ballkani shihet si një aktor serioz dhe i aftë për të ndërtuar ura ekonomike dhe sociale me Evropën dhe botën.
Për më shumë informacione dhe për të parë agjendën e plotë të festivalit:
🌐 www.balkonnect.com


