Lajme

Bajrami: Rritja e pagave është joligjore, tallje me çdo shërbyes civil

10/30/2024 13:00
nga:Sh R

Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, thotë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave nga janari i vitit të ardhshëm, është tallje me çdo shërbyes civil.

Bajrami në një prononcim për GazetaBlic, thotë se rritja e pagave dhe pensioneve në kohë fushate është skemë e korrupsionit publik sepse bëhet vetëm për të blerë mbështetje elektorale.

Sipas saj rritja e pagave nga janari i vitit të ardhshëm është joligjore, pasi që me ligj të buxhetit mundet me u ndryshu vetëm vlera e koeficientit.

“E para, rritja e pagave 55 euro është tallje me çdo shërbyes civil sepse shporta bazë e konsumit ka pësu rritje të çmimeve mbi 50% gjatë këtij mandati. E dyta, çdo rritje e pagave, pensioneve dhe çdo përdorim i parasë publike në kohë fushatë është skemë e korrupsionit publik sepse bëhet vetëm për të ble mbështetje elektorale dhe e treta, rritja e pagave për 1/2 e koeficientit mundet me u bë vetëm me plotësim-ndyrshimin e Ligjit e Pagave, sepse nuk ka mundësi me ndryshu tabela e koeficientëve që është shtojecë e Ligjit të Pagave me Ligj të Buxhetit, me Ligj të Buxhetit ka mundësi me ndryshu vetëm vlera e koeficientit, dmth. rritja e propozuar sot është është joligjore”, tha ajo.

Ajo thekson se rritja e pagave do të duhej të bëhej para 1 viti, ku shton se me kryeministër Lumir Abdixhiku, koeficienti do të rritet në 150 euro.

“Rritja e pagave do të duhej të bëhej para 1 apo 2 viteve. Prandaj, në javën e parë, pas 9 shkurtit, me Kryeministër Lumir Abdixhiku, koeficienti do të rritet në 150 euro”, përfundoi Bajrami për GazetaBlic.