Lajme

Bajrami: Në Qeverinë Kurti janë dhënë kontrata njëburimore për blerjen e ushqimit të qenve

03/19/2024 22:03
nga:G C

Lidhja Demokratike e Kosovës po e kritikon Qeverinë Kurti se ka dhënë 781 kontrata njëburimore, duke thënë se këto kontrata janë bërë me njerëz të afërt me partinë në pushtet.

Në lidhje me këtë, ish-ministrja e Tregtisë, tash deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se në këto tri vjet janë dhënë 209 milionë euro kontrata njëburimore.

“Nëse e shohim MAShT-in, i ka 41 kontrata. Prej këtyre vetëm 12 kanë qenë aneks kontrata, në shumë prej 539 mijë euro, ndërsa 29 janë kontrata të reja me shumë 9.6 milionë euro”.

“E kemi ministrinë e Drejtësisë e cila është me 4 milionë euro kontrata njëburimore, ku vetëm një është aneks kontratë dhe ajo është në vlerë 141 euro”, tha ajo në Rubikon në Klan Kosova.

Bajrami tha se ministria e Mbrojtjes ka dhënë kontratë njëburimore edhe për blerjen e ushqimit të qenve, për të cilën tha se nuk mund të justifikohet.

“Ministria e Mbrojtjes me 8 milionë euro kontrata njëburimore. Ish-ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, i ka analizuar të gjitha kontratat dhe ka kontratë njëburimore për ushqim të qenve. Në qoftë se flasim për kontratë njëburimore për blerjen e armëve, ndoshta deri diku edhe mund të justifikohet, por kemi kontrata edhe të formave të tilla”, tha Bajrami.

Më tej, ajo përmendi edhe ministrinë e Infrastrukturës, për të cilën tha se ka dhënë 54 kontrata njëburimore në vlerë rreth 10 milionë euro, kurse vetëm dy janë aneks kontrata në vlerë prej 183 mijë euro.