Deputetja nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami ka akuzuar Kurtin për keqpërdorim të ndërmarrjeve publike për blerje votash.
Bajrami tha se Ligji për Ndërmarrje Publike, thotë se nuk mund të bëhesh drejtor në ndërmarrje publike nëse në 36 muajt e fundit ke mbajtur ndonjë post politik, shkruan GazetaBlic.
Ndërsa, sipas saj, kryeministri Kurti, ushtroi pozitën e drejtorit të KEK-ut, por edhe atë të drejtorit të burimeve njerëzore.
“Kjo është shkelje ligjore – ky është keqpërdorim i ndërmarrjeve publike për blerje votash.
Para dy ditësh në KEK, Kurti shpërndau 220 kontrata punësimi, duke e shndërruar një ndërmarrje publike në instrument të fushatës së tij zgjedhore. Këto punësime, të maskuara si “në funksion të mihjes dhe prodhimit të qymyrit” siç e tha ai vetë, janë asgjë më shumë se një përpjekje e pastër për të fituar mbështetje elektorale me metoda të paligjshme – komplet të paligjshme”, shkroi ajo në një postim në Facebook.
Bajrami përmendi edhe paralajmërimin e Drejtorit të SHSKUK-së për hapjen e një konkursi për 370 pozita, që janë me ushtrues detyre qe 10 vjet.
Ajo pyeti se: Pse këto pozita u ruajtën për kaq gjatë dhe po shpallen pikërisht tani, në prag të zgjedhjeve?
“Është e qartë se ky konkurs nuk ka për qëllim reformimin e sistemit shëndetësor, por është një tjetër mashtrim dhe manipulim elektoral. Gjithashtu, është e kuptueshme që edhe sikur konkursi të hapet sot, si proces nuk do të përfundojë para datës 9 shkurt. Pra, është manipulim dhe maltretim i qytetarëve për të ju marrë votën”, tha ajo.
Sipas Bajramit, Kurti ka një hall të madh, ndryshe ajo thekson se kryeministri po përdor çdo mjet për të shpëtuar veten.
“Albin Kurti ka një hall të madh, ai po e di mirë që mbështetja për të ka rënë. Në mungesë të rezultateve konkrete për qeverisjen e tij katër vjeçare “krejt dhe drejt” tani po përdor çdo mjet për të shpëtuar veten. Por koha e fushatave me manipulime dhe premtime boshe po merr fund, 9 shkurti është afër. Ndryshimi po vjen”, thuhet mes të tjerash.