Lajme

Bajrami kritikon ashpër Qeverinë për liberalizimin e tregut të energjisë: Po mbrojnë mafien energjetike, jo bizneset vendore

05/20/2025 10:33
nga:Genita C

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj qasjes së Qeverisë për liberalizimin e tregut të energjisë, duke e quajtur këtë proces të dëmshëm për bizneset dhe të orientuar në favor të asaj që ajo e quan “mafia energjetike”, raporton GazetaBlic.

Sipas saj, rreth 1,300 biznese janë përballur me rritje të faturave të energjisë deri në 260%, ndërsa kërkesa e tyre e vetme ka qenë që liberalizimi të shtyhet për një vit.

“Por, në vend që kjo kërkesë të merrej parasysh, ata që ende e quajnë veten ministra, paskan thënë se do t’i ndihmojnë bizneset duke ua subvencionuar izolimin e ndërtesave”, shkroi Bajrami në një postim në Facebook.

Ajo ironizoi me këtë qasje, duke përmendur rastin e një metal përpunuesi, ku rryma përbën 30% të kostos së prodhimit, dhe si zgjidhje i ofrohet izolimi i ndërtesës.

Bajrami gjithashtu akuzoi Qeverinë se po vepron kundër interesave të biznesit vendor dhe qytetarëve, ndërsa e krahason sjelljen e sotme të Lëvizjes Vetëvendosje me premtimet që kishte dhënë Albin Kurti para se të bëhej kryeministër.

Ajo bëri të ditur se nesër, në ora 14:00, LDK do të mbajë një takim me shoqatat e biznesit, ZRRE-në, Autoritetin e Konkurrencës dhe KESCO-n për të diskutuar për pasojat e liberalizimit dhe për t’u zotuar që do ta trajtojnë seriozisht këtë çështje në Kuvend.