Lajme

Bajrami e LDK-së: Shoqëri e zhytur në borxhe, shkak çmimet e larta

09/30/2024 17:56
nga:G C

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj deklaratave të Hekuran Muratit, që tha se qytetarët po jetojnë më mirë nën qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje, raporton GazetaBlic.

Ajo theksoi se rritja e depozitave familjare në banka nuk është një tregues i mirëqenies, duke e përshkruar situatën aktuale si një shoqëri të zhytur në borxhe.

Bajrami shpjegoi se, ndonëse depozitat kanë arritur në 1.5 miliardë euro, të dhënat nga Banka Qendrore e Kosovës tregojnë se mbitërheqjet (overdraftet) e qytetarëve kanë shkuar nga 1.68 miliardë euro në 5.34 miliardë euro në periudhën nga viti 2020 deri në vitin 2023. Ajo theksoi se këto borxhe afatshkurtëra, të marra kryesisht për financimin e konsumit familjar, tregojnë një situatë ekonomike të vështirë.

“Qytetarët po hyjnë në minus në bankë për të mbuluar shpenzimet e përditshme, dhe shumë prej tyre vetëm sa i rikthejnë borxhet me pagat e tyre,” tha Bajrami. Ajo shtoi se bizneset gjithashtu po përdorin mbitërheqjet për shpenzime operative, jo për investime.

Bajrami kritikoi qeverisjen e LVV-së, duke e quajtur rritjen e çmimeve dhe mungesën e masave mbrojtëse si faktorët që kanë shtyrë qytetarët në borxhe. “E vërteta është se një popull i tërë po përballet me vështirësi ekonomike, ndërsa ata që kanë gjendje financiare më të mirë po i ruajnë paratë në banka për të kursyer dhe për të evituar shpenzimet e panevojshme,” përfundoi ajo.

E plotë: