Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar ditën e sotme emërimin e Gjeneral Brigade Arben Voke Kingji në postin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Arben Kingji mbante detyrën e Komandantit të Forcës Tokësore, ndërsa nga sot do të jetë pasuesi i Begajt në krye të Forcave të Armatosura.
Gjeneral brigade Arben Kingji ka drejtuar deri më sot Forcën Tokësore të FA dhe më herët ka mbajtur detyrën e komandantit të Batalionit të Mbështetjes në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Ai ka ushtruar edhe detyra të tjera si ajo e atasheut ushtarak të Republikës së Shqipërisë në Rumani. Me herët ai ka qenë edhe komandant i Policisë ushtarake. Ka kryer Kursin e Shtabit të Përgjithshëm në Akademinë e Mbrojtjes në Tiranë. Po ashtu, gjeneral brigade Kingji ka mbajtur detyrën e komandantit të kontingjentit në disa misione në Afganistan e Irak.
Për kontributet e tij në Forcat e Armatosura, gjeneral brigade Arben Kingji është nderuar me disa medalje. Ai mban edhe medaljen e Artë të Shqiponjës, dhënë nga Presidenti i Republikës.



